Japonia dyshon se Koreja e Veriut ka lëshuar sërish raketa balistike dre
Roja Bregdetare e Japonisë ka raportuar për një lëshim të mundshëm të raketave balistike nga Koreja e Veriut në det.
Duke udhëzuar mjetet lundruese që t'i kushtojnë vëmendje informacionit dhe të mos i afrohen objekteve që kanë rënë në det, CNN shkruan se, roja ka kërkuar nga anijet të raportojnë çdo informacion përkatës.
Kujtojmë se edhe ditën e martë, Koreja e Veriut lëshoi pa paralajmërim një raketë balistike, e cila fluturoi mbi dhe përtej Japonisë, duke bërë që Japonia të paralajmërojë qytetarët e saj që të strehohen.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi se, nëse Koreja e Veriut vazhdon "në këtë rrugë, kjo vetëm do të rrisë dënimin, do të rrisë izolimin dhe do të rrisë hapat që ndërmerren në përgjigje të veprimeve të tyre".
Pas këtyre testeve, ditën e premte ShBA vendosi sanksione të reja ndaj vendit.
Koreja e Veriut zakonisht lëshon raketat e saj në ujërat në brigjet e Gadishullit Korean, duke e bërë fluturimin e së martës mbi Japoni në mënyrë të konsiderueshme më provokuese.
Përshpejtimi agresiv në testimin e armëve ka ndezur alarmin në rajon, me ShBA-në, Korenë e Jugut dhe Japoninë që reagojnë me lëshime raketash dhe stërvitje të përbashkëta ushtarake.
Kujtojmë se, ShBA gjithashtu ka ridislokuar një aeroplanmbajtëse në ujërat pranë gadishullit, një lëvizje që autoritetet koreano-jugore e quajtën "shumë të pazakontë".
