Izraelit i vriten katër ushtarë në Rafah, hynë në një shtëpi të minuar
Katër ushtarë izraelitë u vranë të hënën në qytetin jugor të Gazës, Rafah, njoftoi ushtria.
Siç raporton gazeta “The Times of Israel”, ushtarët e vdekur janë identifikuar si:
Major Tal Pshebilski Shaulov, 24 vjeç, nga Gedera;
Rreshter Eitan Karsbrun, 20 vjeç, nga Modiini;
Rreshter Almog Shalom, 19 vjeç, nga Hamadia;
Rreshter Yair Levin, 19 vjeç, nga Givat Hareli.
Këta katër ushtarë ishin pjesë e njësitit të zbulimit në Brigadën “Givati”. Shalomi dhe Levini ishin ende në periudhën e trajnimit, ndërsa Shaulovi ishte komandant i grupit. Levini është nip i ish-deputetit izraelit, Moshe Feiglin.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, trupat kishin hedhur një mjet shpërthyes brenda një shtëpie të dyshimtë në lagjen Shaboura të Rafahut, në përpjekje për të shpërthyer ndonjë minë ose bombë të kurdisur, pastaj hynë në të, pasi nuk kishte ndonjë shpërthim të menjëhershëm.
Përderisa dy ushtarë u futën në ndërtesën trekatëshe, ndodhi shpërthimi, duke e shkaktuar shembjen e një pjese të shtëpisë mbi disa prej ushtarëve.
Brenda shtëpisë, ushtria izraelite më vonë gjeti një tunel, shenjë se ndërtesa i përkiste një anëtari të Hamasit.
Përpos katër ushtarëve të vdekur, shtatë të tjerë u plagosën, përfshirë pesë seriozisht, njoftoi ushtria.
Me vdekjen e këtyre katër ushtarëve, numri i përgjithshëm i trupave që Izraeli i ka humbur nga fillimi i ofensivës tokësore në Gaza ka shkuar në 299.