Izraeli vret me sulme ajrore dhjetëra palestinezë në Rripin e Gazës - NACIONALE

Izraeli vret me sulme ajrore dhjetëra palestinezë në Rripin e Gazës

4 javë më parë

nga NACIONALE

Izraeli e vazhdoi bombardimin ajror dhe tokësor të Rripit të Gazës të premten, duke vrarë dhjetëra palestinezë, përderisa luftimet vazhduan përreth spitalit kryesor të qytetit Gaza, “Al Shifa”, thanë zyrtarë palestinezë e ushtria izraelite.

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se dy sulme izraelite në periferinë Al-Shejaia, në lindje të qytetit Gaza, lanë të vrarë 17 njerëz, ndërsa një sulm ajror izraelit ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve “Al-Maghazi” në pjesën qendrore të Rripit të Gazës la të vrarë tetë persona, raporton agjencia “Reuters”.

Zyra mediale e qeverisë së Gazës që udhëhiqet nga Hamasi tha se të paktën dhjetë policë, të ngarkuar me detyrën e sigurimit të ndihmave për personat e zhvendosur në veri të Gazës, ishin në mesin e të vrarëve në Al-Shejaia.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj i vazhduan operacionet përreth kompleksit të spitalit “Al Shifa” të qytetit Gaza “ndërkohë duke e zvogëluar dëmin ndaj civilëve, pacientëve, ekipeve mjekësore dhe pajisjeve mjekësore”, duke shtuar se gjatë ditës së kaluar kishte vrarë një numër të armatosurish dhe kishte lokalizuar armë e infrastrukturë ushtarake.

Në deklaratën izraelite thuhet se forcat kryen bastisje në zonat qendrore e jugore, përfshirë qytetin Khan Younis dhe qytezën Al-Karara, ku trupat shkëmbyen zjarr me palestinezë të armatosur para se t’i vrisnin ata dhe lokalizuan armë e raketa.

Krahu ushtarak i Hamasit tha se luftëtarët e tij vunë në shënjestër forca izraelite afër spitalit “Nasser” Khan Younis, njëri nga dy spitalet e qytetit që janë bllokuar nga ushtarë izraelitë për disa ditë.

Në skajin jugor të enklavës, Izraeli e vazhdoi bombardimin e qytetit Rafah, streha e fundit e palestinezëve ku më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës është duke u strehuar. Një sulm ajror ndaj një shtëpie la të vrarë 12 palestinezë të enjten vonë.

Më shumë se 32 mijë palestinezë janë vrarë gjatë ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza nga 7 tetori, ndërsa 71 u vranë gjatë 24 orëve të kaluara, sipas autoriteteve shëndetësore të enklavës.

Lajme të ngjashme