Izraeli vrau tre shpëtues e një gazetar në Qytetin Gaza, thonë mediat palestineze
Izraeli vrau tre anëtarë stafi të shërbimeve mjekësore dhe një gazetar gjatë sulmeve në lagjen Tuffah të Qytetit Gaza, thanë të hënën mediat palestineze, përfshirë agjencinë e lajmeve “Shehab”, e cila është e lidhur me Hamasin.
Tre punëtorët e shpëtimit u vranë përderisa po punonin për të shpëtuar njerëz të plagosur dhe për të nxjerrë trupa të pajetë në atë lagje, sipas agjencisë “Shehab”, e cila u citua nga agjencia “Reuters”.
Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Më herët tha se forcat e saj po vazhdonin të operonin kundër atyre që i quajti “organizata terroriste” në mbarë Rripin e Gazës.
Militantët e udhëhequr nga Hamasi morën peng 251 njerëz dhe vranë rreth 1.200 të tjerë, shumica civilë, gjatë sulmit në Izrael më 7 tetor 2023.
Si kundërpërgjigje, nga ofensiva ushtarake izraelite prej fillimit të luftës janë vrarë më shumë se 54 mijë e 927 palestinezë, shumica civilë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza./Nacionale