Izraeli sulmon nga ajri një strehimore të OKB-së në Gaza, raportohet për dhjetëra të vrarë
(I plotësuar - 08:32) Autoritetet në spitalin “Martirët e Al-Aksës” thanë të enjten se të paktën 39 persona janë vrarë e dhjetëra të tjerë janë lënduar nga një sulm ajror izraelit gjatë natës ndaj një shkolle të menaxhuar nga OKB-ja në pjesën qendrore të Gazës, raporton televizioni CNN.
Autoritetet atje kanë frikë se numri i të vdekurve mund të rritet, sepse në spital ende po silleshin viktima.
Sipas një punëtori që punon për televizionin CNN, shkolla u godit nga të paktën tri raketa që depërtuan në ndërtesën me tri kate. Besohej se në shkollë po strehoheshin përafërsisht 20 mijë njerëz që ishin vendosur në objektin e saj, në oborr dhe në zonën përreth, sipas këtij raportuesi.
___________
(08:04) Një sulm ajror izraelit ndaj një shkolle nën menaxhimin e OKB-së, e mbushur me qindra persona të zhvendosur, në pjesën qendrore të Gazës ka lënë të vdekur të paktën 27 persona, sipas zyrtarëve lokalë.
Ushtria izraelite tha se kreu një sulm ndaj një shkolle të OKB-së që brenda vetes kishte një “kompleks të Hamasit”, raporton televizioni BBC.
Gazetarët lokalë i thanë BBC-së se një aeroplan luftarak izraelit shkrepi dy raketa drejt klasave në katin e sipërm të shkollës në kampin e refugjatëve “Nuseirat”.
Zyra mediale e Hamasit e akuzoi Izraelin për kryerjen e një “masakre të tmerrshme”.
Autoambulancat dhe ekipet e shpëtimit i kanë dërguar të lënduarit dhe të vdekurit në një spital të afërt.
Në pamje të publikuara në rrjete sociale shihen klasa të shkatërruara dhe trupa të mbështjellë me qefinë në një morg.
“Mjaft luftë! Jemi shpërngulur dhjetëra herë. Ata i vranë fëmijët tanë përderisa ata po flinin” – po bërtiste një grua e lënduar nga sulmi.
Ismail al-Thawabta, drejtor i zyrës për media të Hamasit, i hodhi poshtë pretendimet e Izraelit se në shkollën e OKB-së po fshihej një kompleks i Hamasit.
“Pushtimi [Izraeli] përdor... storie të rreme e të fabrikuara për ta justifikuar krimin brutal që e kreu kundër dhjetëra personave të zhvendosur” – i tha ai agjencisë “Reuters”.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se aeroplanët e saj luftarakë kishin kryer një “sulm preciz ndaj një kompleksi të Hamasit të rrënjosur brenda një shkolle të UNRWA-së [agjenci e OKB-së për refugjatë palestinezë] në zonën e Nuseirat-it”.
Ushtria izraelite tha më tej kishte vrarë “terroristë” të Hamasit e të Xhihadit Islam që kishin marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit.