Izraeli para grevës së përgjithshme pas vdekjes së pengjeve, pezullohen fluturimet në Tel Aviv
Aeroporti Ndërkombëtar “Ben Gurion” në Tel-Aviv të Izraelit do t’i ndërpresë fluturimet në ardhje dhe në nisje për dy orë nga ora tetë e mëngjesit si pjesë e një greve të përgjithshme.
Një grevë që rrezikon ta ndërpresë “tërë ekonominë izraelite” është thërritur nga sindikata më e madhe e punëtorëve në Izrael për ta shtyrë Qeverinë që të sigurojë një marrëveshje për armëpushim dhe për lirim të pengjeve, raporton televizioni CNN.
Greva vjen pas protestave masive për shkak të vrasjes së gjashtë pengjeve në Gaza, trupat e të cilave u gjetën në fundjavë.
Tri prej viktimave, përfshirë izraelito-ameriknain Hersh Goldberg-Polin, pritej që të liroheshin si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi, i thanë televizionit amerikan disa zyrtarë izraelitë.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Khalil Al-Hayya, e ka fajësuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për vdekjen e gjashtë pengjeve që ishin duke u mbajtur nga grupi palestinez.
“Këta individë dhe të tjerë do të mund të liroheshin te familjet e tyre në një marrëveshje të vërtetë shkëmbimi përderisa ishin ende gjallë. Netanyahu dhe Qeveria e tij ekstremiste janë arsyeja që ata [pengjet] e humbën jetën” – tha Al-Hayya.
Në anën tjetër, ushtria izraelite tha se pengjet ishin vrarë pak para se trupat të arrinin te to. Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se pengjet u vranë me të shtëna nga afërsia rreth 48 deri në 72 orë para se t’u bëhej autopsia.
Vdekja e gjashtë pengjeve është goditje ndaj bisedimeve të paqes mes Izraelit dhe Hamasit, përderisa këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare tha se “ditët e ardhshme do të jenë kritike” në përpjekjen për t’i liruar pengjet që po mbahen ende në Gaza./Nacionale