Izraeli i sulmon Gazën, Sirinë e Bregun Perëndimor, rritet rreziku i ndezjes së luftës në fronte tjera
Avionët luftarakë izraelitë i vazhduan bombardimet mbi Rripin e Gazës gjatë të shtunës mbrëma deri në mëngjesin e së dielës, si dhe i sulmuan dy aeroporte në Siri dhe një xhami në Bregun e uzurpuar Perëndimor, e cila gjoja përdorej nga militantët, teksa po rritet rreziku që lufta tashmë dyjavore me Hamasit të përhapet në një konflikt të gjerë rajonal.
Izraeli ka shkëmbyer zjarr me grupin militant të Libanit, Hezollah, pothuajse çdo ditë qëkur nisi lufta, ndërsa në Bregun Perëndimor të uzurpuar nga Izraeli tensionet po rriten, ku forcat izraelite po i luftojnë militantët në kampet refugjate dhe kryen sulme ajrore në ditët e fundit.
Tash e disa ditë duket sikur Izraeli është buzë nisjes së një ofensive tokësore në Gazë, si pjesë e përgjigjes hakmarrëse ndaj sulmeve të tërbuara të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Tanke dhe dhjetëra mijëra trupa janë grumbulluar në kufi me Gazën.
Por, Ushtria e Izraelit e pranon se ende ka qindra mijëra palestinezë civilë në veri të Gazës pavarësisht urdhrave që ua dha atyre për t’u zhvendosur në jug të vendit, gjë që do t’ia koklaviste pushtimin tokësor asaj. Dhe, rreziku i nxitjes së një lufte më të gjerë me aleatët e Hamasit në Liban dhe në Siri mund ta bëjë atë të ketë dyshime.
Të shtunën, 20 kamionë me ndihma humanitare u futën në Gazë nga Egjipti përmes pikëkalimit Rafah. Kjo ishte hera e parë që diçka ka mundur të futet brenda këtij territori qëkur Izraeli e rrethoi plotësisht Gazën para dy javëve. /REL