Izraeli i kthen trupat e mbi 80 palestinezëve në Gaza, raportohet për 18 të vrarë të hënën
Izraeli i ktheu trupat e më shumë 80 palestinezëve të vrarë gjatë ofensivës së tij ushtarake në Rripin e Gazës, ndërsa sulmet ajrore izraelite lanë të paktën 18 të vrarë të tjerë të hënën, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Yamen Abu Suleiman, drejtor i Shërbimit Emergjent Civil palestinez në Khan Younis, në jug të Gazës, tha se ishte e paqartë nëse trupat ishin nxjerrë nga varreza nga ushtria gjatë ofensivës tokësore, apo ishin “të ndaluar që ishin torturuar dhe vrarë”, raporton agjencia “Reuters”.
“Pushtimi [Izraeli] nuk na ofroi të dhëna për emrat, ose moshën, ose asgjë. Ky është krim lufte, krim kundër njerëzimit” – tha Abu Suleimani.
Ai shtoi se trupat do të nxirreshin në përpjekje për t’i përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe për t’i identifikuar, para se të varrosen në një varr masiv në një varrezë afër spitalit “Nasser” në Khan Younis.
Zyra mediale qeveritare e udhëhequr nga Hamasi në Gaza tha se Izraeli kishte dërguar të paktën 89 trupa si “eshtra dhe trupa të dekompozuar në një mënyrë çnjerëzore”.
Kjo zyrë tha më tej se Izraeli kishte “vjedhur” dy mijë trupa nga 7 tetori nga dhjetëra varreza, të cilat i kishte dëmtuar me buldozerë gjatë ofensivës së vazhdueshme ushtarake.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite për kthimin e trupave. Në të kaluarën, Izraeli ka thënë se i ka kthyer trupat pas kontrolleve që ata të mos jenë të pengjeve izraelite që janë mbajtur nga Hamasi pas sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit.
Në Jerusalem, Forumi i Familjeve të Pengjeve Izraelite pyeti pse kryeministri Benjamin Netanyahu do ta lejonte dorëzimin e trupave të palestinezëve pa një marrëveshje armëpushimi me Hamasin.
Në Khan Younis, banorët thanë se sulmet izraelite nga ajri dhe me predha tankesh vazhduan gjatë natës, përfshirë zonat në të cilat Izraeli kishte lëshuar urdhra evakuimi, duke thënë se militantët kishin qenë duke kryer sulme nga ato pjesë.
Një sulm ajror izraelit la të vrarë tetë palestinezë në një automjet në rrugë afër qytetin Khan Younis të hënën, thanë mjekët.
Ushtria izraelite tha të hënën se e kishte vrarë Abdel-Fattah al-Zriei-n, për të cilin tha se ishte i përfshirë në departamentin e prodhimeve të armëve në Hamas. Sipas ushtrisë izraelite, sulmi ndodhi të dielën./Nacionale