Izraeli i dorëzon ShBA-së propozim për pakt paqeje ku përfshihet ekzili i Sinwarit - NACIONALE

Izraeli i dorëzon ShBA-së propozim për pakt paqeje ku përfshihet ekzili i Sinwarit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka paraqitur administratës së presidentit Joe Biden të ShBA-së një propozim të ri për marrëveshje armëpushimi me Hamasin, i ka thënë televizionit CNN një zyrtar izraelit.

Propozimi nga Gal Hirsch, aleat i ngushtë i Netanyahut që shërben si koordinator i Izraelit për pengje dhe të zhdukur, parasheh përfundim të përhershëm të konfliktit në Gaza, lirim të të gjitha pengjeve në një fazë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli dhe largim të sigurt nga Gaza, sipas televizionit izraelit, Kan 11.

Reagimet ndaj këtij propozimi kanë qenë gjerësisht që nuk do të pranohet nga Hamasi, edhe pse grupi nuk ka komentuar.

Është e paqartë nëse në propozim adresohet prania e trupave izraelite në Gaza pas një pakti armëpushimi – pikë kyçe në bisedimet që kanë ngecur. Për më tepër, ideja që Sinwari të largohet nga Gaza shihet si me pak gjasa nga zyrtarët amerikanë.

Një burim tjetër izraelit, i afërt me bisedimet, tha se propozimi nuk ishte duke u diskutuar në mesin e ekipit negociator izraelit si bazë për bisedime të reja me Hamasin, që tashmë kanë ngecur me javë.

Forumi i Familjeve të Pengjeve fillimisht e çmoi propozimin, por më vonë të enjten e quajti atë “manipulim cinik dhe të ulët”.

“Ky është mashtrim, qëllimi i të cilit është që të pengohet nisma e re amerikane për t’i liruar pengjet dhe për ta ndalur luftën në Gaza. Së shpejti ne do të festojmë një vit braktisje. Ky është bankrotim moral dhe i vlerave që shteti nuk e ka parë kurrë më herët” – tha ky forum.

Propozimi i ri vjen në kohën kur mundësia për marrëveshje nuk ka qenë kurrë më e ulët. Familjet e pengjeve izraelite që po mbahen ende në Gaza e kanë shprehur zemërimin me eskalimin e tensioneve me Hezbollahun në Liban, duke thënë se një luftë e madhe atje vetëm do t’i ulte gjasat për një pakt për lirimin e pengjeve./Nacionale

Lajme të ngjashme