Izraeli i dëbon katër aktivistët e parë të flotës që u mundua të arrinte në Gaza - NACIONALE

Izraeli i dëbon katër aktivistët e parë të flotës që u mundua të arrinte në Gaza

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Katër shtetas italianë janë dëbuar nga Izraeli, pasi ishin ndaluar nga autoritetet izraelite, kur po lundronin drejt Gazës si pjesë e një flote që synonte të dërgonte ndihma në enklavë, njoftoi Ministria e Jashtme e Izraelit.

Më shumë se 470 persona që ishin pjesë e flotës janë ndaluar, sipas policisë izraelite. Ministria e Jashtme tha se autoritetet ishin në proces të dëbimit të të tjerëve, raporton televizioni BBC.

Dëbimi i katër italianëve u bë kur anija e fundit e flotës “Global Sumud Flotilla” u pengua nga autoritetet izraelite të premten në mëngjes.

Anijet e para u ndalën rreth 130 kilometra larg bregdetit të Gazës në ujëra ndërkombëtare, ndërsa të tjerat më afër. Izraeli e vëzhgon atë zonë me forca të sigurisë, edhe pse nuk ka juridiksion mbi atë pjesë.

Bllokimi i anijeve me ndihma të nisura drejt Gazës ka nxitur protesta në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë një grevë të përgjithshme në Itali.

Izraeli tha se forcat detare u kishin thënë anijeve që ta ndryshonin drejtimin, pasi “po i afroheshin një zone të luftimeve aktive dhe po shkelnin një bllokadë detare të ligjshme”, ndërsa drejtuesit e flotës e cilësuan “të paligjshëm” pengimin e anijeve.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Izraelit tha: “Tashmë katër shtetas italianë janë dëbuar. Pjesa tjetër janë në proces të dëbimit. Izraeli është i interesuar që ta përfundojë këtë procedurë sa më shpejt që është e mundshme.”

Më tej, kjo ministri tha se të gjithë personat e ndaluar janë të sigurt dhe me shëndet të mirë. Organizatorët e flotës kanë pretenduar se shumë prej aktivistëve janë sulmuar me topa uji gjatë pengimit të anijeve.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Izraelit u përmend edhe prania e aktivistes suedeze me famë botërore, Greta Thunberg, në njërën prej anijeve, por nuk u dhanë hollësi të mëtejme rreth statusit të saj./Nacionale

Lajme të ngjashme