Izraeli gjen trupa të izraelitëve të zhdukur gjatë bastisjes në Gaza - NACIONALE

Izraeli gjen trupa të izraelitëve të zhdukur gjatë bastisjes në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazetat izraelite raportojnë se trupat e disa izraelitëve të rrëmbyer nga Hamasi gjatë sulmit javën e kaluar u gjetën nga ushtria izraelite gjatë një operacioni tokësor në Gaza të premten.

Gazetat “Haaretz” dhe “Jerusalem Post” thonë se Forcat Mbrojtëse të Izraelit gjetën një numër të pasaktësuar të trupave, i kthyen në territorin izraelit dhe gjetën disa gjësende që u përkisnin personave të zhdukur, raporton televizioni BBC.

Njësite të këmbësorisë dhe me automjete të blinduara morën pjesë në bastisjen gjatë së cilën “u zhbë” një celulë e Hamasit që kishte hedhur raketa kundërtanke drejt territorit izraelit, raportoi gazeta “Jerusalem Post”.

Të paktën 150 pengje, që ishin marrë nga militantët e Hamasit të shtunën, besohet se po mbahen në vende sekrete brenda Gazës. Në mesin e tyre ka gra, fëmijë e persona të moshuar.

Hamasi ka kërcënuar se do të vrasë nga një peng secilën herë që Izraeli vret me sulme ajrore civilë pa paralajmërim.

Në veri, ushtria izraelite tha se kishte goditur “një cak terrorist” në jug të Libanit, që i përkiste grupit Hezbollah.

Forcat izraelite kanë shkëmbyer zjarr të kufizuar me Hezbollahun disa herë gjatë kësaj jave. Njësoj si Hamasi, edhe Hezbollahu cilësohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe e vende të tjera.

I mbështetur nga Irani, Hezbollahu ka prani të fuqishme ushtarake e politike në Liban dhe gëzon pushtet të konsiderueshëm në këtë shtet. Më 2006, ky grup kishte zhvilluar një luftë shkatërruese me Izraelin, me ç’rast kishin vdekur 1.200 persona.

Lajme të ngjashme