Izraeli e zgjeron sulmin në Gaza para votimit të rezolutës së OKB-së për ndihma
Forcat izraelite dhanë shenjë se po e zgjeronin ofensivën e tyre tokësore me një shtytje të re drejt pjesës qendrore të Gazës të premten, përderisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë për një rezolutë me të cilën do të bëhet thirrje për shtimin e ndihmave humanitare që të mënjanohet rreziku nga vdekja nga uria.
Derisa u zbeh shpresa për ndonjë sukses të menjëhershëm në bisedimet e zhvilluara këtë javë në Egjipt për një armëpushim të ri mes Izraelit e Hamasit, në mbarë enklavën palestineze u raportua për sulme ajrore, bombardime artilerie e luftime, shkruan agjencia “Reuters”.
Ushtria izraelite të premten i urdhëroi banorët në Al-Bureij, në qendër të Gazës, që të lëviznin menjëherë drejt jugut, duke dhënë shenjë për një përqendrim të ri të sulmit tokësor që tashmë e ka lënë të shkatërruar pjesën veriore të Rripit të Gazës dhe bëri një varg depërtimesh në jug.
Në përshkrimet më të reja të luftimeve të premten, banorët raportuan për sulme izraelite me predha tankesh në zonat lindore të vendbanimit Al-Bureij, që është subjekt i urdhrit të ri të evakuimit.
Agjencia e lajmeve e lidhur me Hamasin, “Shehab”, raportoi për sulme predhash e sulme ajrore në Jabalia al-Balad e në kampin e refugjatëve në Jabalia, në veri të Gazës, dhe se automjetet izraelite ishin duke u përpjekur që të avanconin nga ana perëndimore e Jabalias nën zhurmën e të shtënave.
Për sulme ajrore u raportua edhe në jug të Gazës, më saktësisht në Khan Yunis e në Rafah.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se forcat e saj ajrore shkatërruan një qendër për hedhjen e raketave me rreze të gjatë në Juhor ad-Dik, në pjesën qendrore të Gazës, nga e cila, sipas izraelitëve, “u kryen rishtazi hedhje drejt territorit izraelit” – referencë e mundshme ndaj një sulmi që ndodhi të enjten ndaj Tel-Avivit.
Sipas shifrave më të reja të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 20 mijë e 57 palestinezë janë vrarë e 50 mijë e 320 të tjerë janë lënduar nga sulmet izraelite që nga fillimi i luftës më 7 tetor.
Në anën tjetër, Izraelit thotë se 140 ushtarë i janë vrarë që nga fillimi i ofensivës tokësore në Gaza më 20 tetor, ndërsa 1.200 njerëz janë vrarë gjatë sulmit të Hamasit në jug të vendit më 7 tetor.