Izraeli e sulmon qytetin historik Tyre të Libanit, së paku tetë të vrarë - NACIONALE

Izraeli e sulmon qytetin historik Tyre të Libanit, së paku tetë të vrarë

3 javë më parë

nga NACIONALE

Izraeli të martën e sulmoi qytetin historik e bregdetar libanez, Tyre, duke vrarë të paktën tetë persona, tha Ministria e Shëndetësisë, pas lëshimit për herë të parë të një urdhri izraelit për evakuim nga i tërë qyteti.

Vdekja e këtyre njerëzve erdhi pas një sulmi të vetëm në skajin lindor të qytetit, thanë mediat shtetërore dhe Ministria e Shëndetësisë, në njërin nga bombardimet më vdekjeprurëse izraelite ndaj qytetit Tyre që nga fillimi i luftës mes Izraelit e Hezbollahut më 2 shkurt, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në një video të bërë pas sulmit, në një vend të vërtetuar nga agjencia “Reuters” si lagjja ku ndodhi sulmi, shiheshin mbetje të shpërndara përgjatë rrugës. Një vinç shihej duke operuar afër një ndërtese të dëmuar. Ministria e Shëndetësisë tha se ekipet e shpëtimit ende po kërkonin për të mbijetuar nën rrënoja.

Ushtria izraelite të martën kishte lëshuar në internet një paralajmërim për evakuim për tërë qytetin, përfshirë pjesën veriperëndimore me banorë të krishterë, ku njerëzit e zhvendosur nga pjesë të tjera të qytetit po kërkonin strehim, ngase ajo pjesë ishte lënë jashtë urdhrave të mëparshëm të evakuimit.

Javën e kaluar, ushtria izraelite tha se militantët e Hezbollahut ishin duke u fshehur në atë zonë, pa paraqitur dëshmi, duke u bërë thirrje të krishterëve të qytetit që të kërkonin që Hezbollahu të largohej dhe kërcënuan se do të jepnin urdhër për evakuimin e distriktit, nëse luftëtarët e grupit nuk do të largoheshin.

Mediat shtetërore libaneze thanë se njerëzit po largoheshin nga qyteti të martën, ndërsa ekipet e mbrojtjes civile po i transportonin banorët e moshuar për në strehimore të përkohshme.

Organizata “Mjekët pa Kufij” tha në një deklaratë se është thellësisht e shqetësuar me ato që i quajti “praktika të zhvendosjes së detyruar”, duke iu referuar paralajmërimit të Izraelit që njerëzit të largoheshin para sulmeve./Nacionale

Lajme të ngjashme