Izraeli e akuzon Sanchezin për nxitje të vrasjes së hebrenjve, ministren ia krahason me Khamenein
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Khatz, ka hedhur akuza të rënda ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Punës dhe Ekonomisë Sociale të Spanjës, Yolanda Diaz, duke thënë se ajo po bën thirrje për zhdukjen e Shtetit të Izraelit.
Përmes një shkrimi në rrjetin X, kryediplomati izraelit e futi zyrtaren e lartë spanjolle në një grup me udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar, dhe me liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei.
“Khamenei, Sinwari dhe nënpresidentja e Spanjës, Yolanda Diaz – bëjnë thirrje për zhdukjen e Shtetit të Izraelit dhe për formimin e një shtetit terrorist islam palestinez nga lumi në det” – shkroi ministri izraelit, raporton televizioni BBC.
Khamenei @khamenei_ir, Sinwar y la Vicepresidenta de España @yolanda_diaz_ - llaman a la desaparición del Estado de Israel y el establecimiento de un estado terrorista islámico palestino desde el río hasta el mar.
— ישראל כ”ץ Israel Katz (@Israel_katz) May 28, 2024
Presidente @sanchezcastejon - al no despedir a @yolanda_diaz_ y… pic.twitter.com/Gq4mcRlndo
Më tej, ai pati një akuzë të rëndë edhe ndaj vetë kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, duke e akuzuar se është bashkëfajtor në nxitjen e vrasjes së popullit hebraik dhe krimeve të luftës.
“Presidenti Sanchez – përmes mosshkarkimit të Yolanda Diazit dhe njoftimit të njohjes së Shtetit Palestinez – është bashkëfajtor në nxitjen e vrasjes së popullit hebraik dhe krimeve të luftës” – shkroi ministri i Jashtëm i Izraelit.
Para disa ditëve, zëvendëskryeministrja e Spanjës e përdori shprehjen kundërthënëse, “Palestina do të jetë e lirënga lumi në det”.
Kjo është shprehje politike që i referohet gjeografikisht zonës mes Lumit Jordan dhe Detit Mesdhe, territor i quajtur historikisht Palestinë, që sot i përfshin Izraelin dhe territoret e pushtuara palestineze të Bregut Perëndimor dhe Gazën.
Të martën, Spanja njoftoi se nga 28 maji e njeh zyrtarisht Palestinën. Të njëjtin vendim pritet që më vonë ta publikojnë edhe Irlanda dhe Norvegjia.
Izraeli ka reaguar ashpër kundër vendimit të këtyre tri shteteve evropiane, duke thënë se kjo lëvizje paraqet “shpërblim për terrorizëm”.