Ish-zyrtarët amerikanë: Inteligjenca mori vesh se avokatët izraelitë paralajmëruan që ka dëshmi për krime lufte në Gaza
Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar grumbulluan të dhëna të inteligjencës se avokatët ushtarakë të Izraelit kishin paralajmëruar se kishte dëshmi që mund t’i mbështesin akuzat për krime lufte kundër Izraelit ose për fushatën e tij ushtarake në Gaza – operacione të mbështetura në armë të siguruara nga Shtetet e Bashkuara, sipas pesë ish-zyrtarëve amerikanë.
Të dhënat e inteligjencës, për të cilat nuk është raportuar më parë dhe që nga ish-zyrtarët përshkruhen si në mesin e më tronditëseve që janë ndarë me politikëbërësit amerikanë gjatë luftës, tregojnë dyshime brenda ushtrisë izraelite për ligjshmërinë e taktikave të saj, që bien në kontrast të ndjeshëm me qëndrimin publik të Izraelit në mbrojtje të veprimeve të veta, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dy prej ish-zyrtarëve thanë se materiali nuk ka qarkulluar gjerësisht brenda qeverisë amerikane deri në pjesën e fundit të mandatit të administratës së ish-presidentit Joe Biden, kur u përhap më gjerësisht para një mbledhjeje në Kongres në dhjetorin e vitit 2024.
Të dhënat e inteligjencës i thelluan shqetësimet në Uashington për sjelljen e Izraelit në një luftë për të cilën ka thënë se është e nevojshme që t’i eliminojë luftëtarët e Hamasit të rrënjosur në infrastrukturën civile, grupi i njëjtë që e udhëhoqi sulmin e 7 tetorit më 2023. Kishte shqetësime se Izraeli qëllimisht po vinte në shënjestër civilë dhe punonjës humanitarë, krim lufte i mundshëm që Izraeli e ka mohuar fuqishëm.
Zyrtarët amerikanë shprehën alarm rreth të gjeturave, sidomos pasi numri në rritje i viktimave civile në Gaza ngriti shqetësime se operacionet e Izraelit mund t’i shkelnin standardet ligjore ndërkombëtare rreth dëmit të pranueshëm kolateral.
Ish-zyrtarët amerikanë me të cilët bisedoi agjencia “Reuters” nuk ofruan hollësi për atë se çfarë dëshmish – si për shembull incidentet specifike gjatë luftës – i kishin shkaktuar këto shqetësime në mesin e avokatëve ushtarakë të Izraelit.
Ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yechiel Leiter, refuzoi që të komentonte, kur iu kërkua një përgjigje për të dhënat e inteligjencës amerikane dhe për debatin e brendshëm në administratën e ish-presidentit Biden për to. As Zyra e Kryeministrit Benjamin Netanyahu, as zëdhënësi i ushtrisë izraelite nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment./Nacionale