Ish-presidenti serb: Pas vrasjes së Gjingjiqit dhe Ivanoviqit, tash i janë vënë pas Rada Trajkoviqit
Ish-presidenti i Serbisë në dy mandate dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadiq, ka folur në lidhje me videon e Partisë Radikale Serbe, e cila prek privatësinë e familjes së politikanes Rada Trajkoviq, në përpjekje për ta diskredituar atë dhe fëmijët e saj, ku Tadiq ka thënë se regjimi i Aleksandër Vuçiqit e ktheu Serbinë në kohën e Sheshelevëve.
Në një komunikatë për media, radikalët thonë se po japin “informacione interesante për Aleksandra Trajkoviq”, vajzën e Rada Trajkoviqit.
Radikalët shkruajnë se ku dyshohet se është e punësuar vajza e politikanes, e cila tashmë është vënë në shënjestër edhe nga Shesheli, edhe nga vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili së fundmi e quajti atë këshilltare të Qeverisë së Kosovës si “llumi më i keq serbe nga fundi i kovës”. Por radikalët kanë të bëjnë edhe me vajzën e saj të dytë Biljanën dhe djalin Dejan dhe flitet edhe për lidhjet e tyre të pretenduara ndërkombëtare.
"Regjimi i Vuçiqit na riktheu në kohën e Sheshelit ku u vra Zoran Gjingjiq. Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, e njëjta metodologji e shënjestrim të kundërshtarëve politikë vazhdon. Së pari, pa asnjë sanksion, Shesheli praktikisht në media pro regjimit e ka lajmëruar vrasjen e Rada Trajkoviqit, ndërsa tani partia e tij ka në shënjestër direkt edhe fëmijët e saj, deklaroi Tadiq.
Ish-presidenti i Serbisë shton se gjatë gjithë viteve të kaluara ka paralajmëruar se ideologjia e Sheshelit është në pushtet në Serbi. Sipas Tadiqit, kjo ideologji është e përfaqësuar në qeveri më shumë nga Vuçiqi, ku sipas tij, presidenti serb është pasues i kësaj “ideologjie monstruoze”.
"Qytetarët duhet ta kuptojnë se ajo që po i bëhet Rada Trajkoviqit dhe familjes së saj po u bëhet të gjithë qytetarëve të Serbisë, sepse regjimi që e kryen këtë torturë është regjimi që udhëheq jetën e të gjithë qytetarëve. Këtu nuk bëhet fjalë për luftë politike, por për qytetërim, prandaj duhet ta kundërshtojmë këtë çmenduri të gjithë së bashku dhe me të gjitha mjetet. Në një vend ku institucionet janë të okupuara, jeta dhe siguria e disidentëve të regjimit duhet të mbrohet nga publiku dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të gjithë të ngremë zërin tonë", thotë Tadiq. /Nacionale/