Ish-kryespiuni britanik: Manovra shumë e guximshme e Ukrainës po e shpaguan veten
Sir Alex Younger, ish-drejtor i shërbimit britanik për inteligjencë të jashtme, MI6, ka thënë se hyrja e trupave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë është “manovër shumë, shumë e guximshme” që “po e shpaguan veten” për momentin.
Sipas tij, strategjia e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, është që ai ka nevojë për ta “rivendosur politikën” e luftës në avantazhin e vet dhe “t’i shkaktojë kosto dhe paqartësi Rusisë”, raporton televizioni BBC.
Younger tha në Radio BBC 4 se ende ka pyetje të rëndësishme për planin e Zelenskyt për logjistikën dhe tërheqjen në këtë operacion.
Megjithatë, ai shton se manovra e Ukrainës ka të bëjë tërësisht me atë që Putini të kuptojë se “nëse ai e vazhdon betejën kundër Ukrainës, kjo do të ndodhë më shpesh”.
Përpos Kurskut, guvernatori i rajonit tjetër kufitar rus, Belgorod, e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke thënë se sulmet ukrainase po e bëjnë situatën “tepër të vështirë dhe të tensionuar”.
Guvernatori Vyacheslav Gladkov tha në rrjete sociale se sulmet e përditshme ukrainase kanë shkatërruar shtëpi si dhe kanë vrarë e plagosur civilë.
Rusia tha të mërkurën se mbrojtja ajrore e saj kishte shkatërruar 117 dronë për të cilët tha se ishin hedhur gjatë natës nga Ukraina.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se në shënjestër ishin disa rajone: Kursk, Voronezh, Belgorod dhe Nizhny Novgorod. Më tej, kjo ministri gjithashtu tha se forcat ruse kishin rrëzuar katër raketa./Nacionale