Ish-kryeministrja britanike Truss e përkrah Trumpin: Me të president, bota ishte më e sigurt - NACIONALE

Ish-kryeministrja britanike Truss e përkrah Trumpin: Me të president, bota ishte më e sigurt

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ish-kryeministrja dhe ish-sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, e ka shprehur përkrahjen për miliarderin amerikan dhe ish-presidentin e ShBA-së, Donald Trump, për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, duke thënë se bota ishte më e sigurt, kur ai ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Kryeministrja me mandatin më të shkurtër në Britani tha se bota është “në cepin e një konflikti shumë, shumë të fortë” dhe ka nevojë për “një Amerikë të fortë më shumë se kurrë më parë”, raporton televizioni BBC.

Zonja Truss, e cila rishtazi ka mbajtur fjalim në një tubim pro Trumpit në ShBA, tha se “kundërshtarët e Perëndimit ia kanë frikën një presidence të Trumpit më shumë” se demokratëve të udhëhequr nga Bideni.

Duke folur për BBC-në, zonja Truss tha se Trumpi është më agresiv ndaj Iranit dhe Kinës. Ajo gjithashtu e çmoi përkrahjen e Trumpit për Ukrainën, duke e miratuar shitjen e raketave kundërtanke të tipit “Javelin”, pavarësisht nga përpjekjet e fundit të aleatëve të tij republikanë për t’ia bllokuar ndihmat ushtarake këtij shteti.

“Unë nuk po them që pajtohem me absolutisht gjithçka që ai [Trumpi] ka thënë ndonjëherë” – tha ish-kryeministrja britanike. Megjithatë, ajo shtoi: “Unë pajtohem se nën [pushtetin e] Donald Trump, kur ai ishte president i Shteteve të Bashkuara, bota ishte më e sigurt.”

“Unë dua që të punoj me bashkëpunëtorë konservatorë që ta marrim përsipër atë që unë besoj se është një kërcënim real ndaj shoqërisë dhe civilizimit Perëndimor që po minohen nga idetë ekstreme të krahut të majtë” – tha më tej ish-kryediplomatja britanike.

Ajo foli edhe për publikimin e librit të saj të ri, për filozofinë e saj politike dhe për mandatin shumë të shkurtër në krye të qeverisë britanike.

Sipas zonjës Truss, ajo u rrëzua nga pushteti pas 49 ditëve nga figura të fuqishme të establishmentit, përfshirë ato në shërbimin civil.

Megjithatë, ajo mohoi se rrëzimi i saj nga pushteti ishte poshtërues, duke thënë: “Ishte i vështirë. Absolutisht. A ishte poshtërues? Nuk do ta përdorja atë fjalë në të vërtetë.”

Truss tha se e kishte marrë detyrën e kryeministres me qëllimin për t’i ndryshuar gjërat, por nuk ia kishte dalë.

Lajme të ngjashme