Ish-kryeministri pakistanez, Imran Khan, e gruaja e tij dënohen me nga 14 vjet burgim për ryshfet - NACIONALE

Ish-kryeministri pakistanez, Imran Khan, e gruaja e tij dënohen me nga 14 vjet burgim për ryshfet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe bashkëshortja e tij, Bushra Bibi, janë dënuar me nga 14 vjet burgim për ryshfet.

Khan, i cili ishte rrëzuar nga posti i kryeministrit nga kundërshtarët e tij më 2022, tashmë është duke vuajtur një dënim me tre vjet burgim, pasi ishte shpallur fajtor për korrupsion, raporton televizioni BBC.

Të martën, ai u dënua me 10 vjet burgim për zbulim të sekreteve shtetërore, ndërsa të mërkurën me 14 vjet burgim për një rast ryshfeti.

Ish-zyrtari i lartë ka thënë se rastet e shumta gjyqësore kundër tij janë të motivuara politikisht.

Dënimet e reja ndaj tij shqiptohen vetëm disa javë para zgjedhjeve në vend, në të cilat atij i është ndaluar që të garojë.

Besohet se dënimet me burgim do të kalohen në mënyrë të njëkohshme. Khani tashmë ka qenë i ndaluar nga gushti i kaluar, kur ishte arrestuar.

Bashkëshortja e tij, Bushra Bibi, ishte e liruar me kusht gjatë gjykimit, në të cilin ishin ngritur akuza se çifti kishte shitur ilegalisht dhurata shtetërore që kishte pranuar për përfitime personale.

Ata i kishin mohuar akuzat. Përpos dënimit me burgim, të dënuarit u urdhëruan që të paguajnë një gjobë prej 1,5 milionë rupish (5,3 milionë dollarë).

Të mërkurën, partia e Khanit, PTI, tha se ky dënim nënkupton që ish-kryeministrit do t’i ndalohet mbajtja e pozitave publike për dhjetë vjet.

Një zëdhënës i partisë së tij e përshkroi dënimin e gjykatës si “një ditë tjetër pikëlluese në historinë e sistemit tonë gjyqësor, i cili po shkërmoqet”./Nacionale

Lajme të ngjashme