Ish-komandanti i Wagner kërkon falje, thotë se është penduar që ka luftuar në Ukrainë
Një ish-komandant i grupit mercenar rus Wagner, i cili para pak kohësh ka ikur në Norvegji ka kërkuar falje për luftimet në Ukrainë.
Duke folur për Reuters, Andrei Medvedev, i cili ka shkuar në Norvegji më 13 janar, ka treguar se ishte dëshmitar i vrasjes dhe keqtrajtimit nga Wagner, të të dënuarve rusë të dërguar në Ukrainë për të luftuar për grupin.
Ai ka thënë se donte të sillte para drejtësisë autorët e krimeve
"Shumë më konsiderojnë të poshtër, një kriminel, një vrasës," – është shprehur Medvedev 26- vjeçar, duke thënë se do të kërkojë falje dhe se i vjen shumë keq.
"Po, kam shërbyer në Wagner. Ka disa momente në historinë time që njerëzit nuk i pëlqejnë, që u bashkova me ta, por askush nuk lind i zgjuar,"- ka thënë ai.
Ndër të tjera, Medvedev ka shtuar se ai kishte vendosur të flasë "për të ndihmuar që autorët të ndëshkohen në raste të caktuara”.
Ai po ashtu ka përmendur një incident, ku ka treguar se ishte dëshmitar i dy personave që nuk donin të luftonin të cilët ishin vrarë para personave që sapo ishin regjistruar në Wagner.
Ndërkohë, Kripos, shërbimi kombëtar i policisë kriminale i Norvegjisë, i cili ka përgjegjësinë për hetimin e krimeve të luftës, ka filluar të marrë në pyetje Medvedev për përvojat e tij në Ukrainë.
Aktualisht, Medvedev e ka statusin e dëshmitarit dhe nuk dyshohet për asgjë përveç kalimit të paligjshëm të kufirit. Medvedev ka thënë se ai nuk kishte asgjë për të fshehur nga policia, duke shtuar se: "Unë nuk kam kryer asnjë krim, kam qenë vetëm një luftëtar".
Nga ana tjetër, grupi Wagner ka thënë se Medvedev kishte punuar në një "njësi norvegjeze" të Wagner dhe kishte "keqtrajtuar të burgosurit".
"Keni kujdes, ai është shumë i rrezikshëm,"- ka thënë grupi në një deklaratë të dërguar me email për Reuters, duke përsëritur komentet e mëparshme të bëra nga themeluesi Yevgeny Prigozhin, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin.

