Irani thotë se ka ekzekutuar një agjent të Mossad-it izraelit - NACIONALE

Irani thotë se ka ekzekutuar një agjent të Mossad-it izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një agjent i shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad, u ekzekutua të shtunën në provincën juglindore të Iranit, Sistan-Baluçestan, raportoi agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA.

“Ky person komunikoi me shërbime të huaja, specifikisht me Mossad-in, duke mbledhur të dhëna të klasifikuara, dhe me pjesëmarrje me bashkëpunëtorë, u ofroi dokumente shërbimeve të huaja, përfshirë Mossad-in”- thuhet në raportim, ku nuk përmendet emri i personit, shkruan agjencia “Reuters”.

Më tej, në njoftim thuhet se i akuzuari i kishte dhuruar të dhëna të klasifikuara “një oficeri të Mossad-it” me qëllim të “propagandës për grupe dhe organizata që janë kundër Republikës Islamike [të Iranit]”. Aty nuk tregohet se kur kishte ndodhur dorëzimi i pretenduar i të dhënave të klasifikuara.

Nuk qe e qartë se kur ishte arrestuar ky person, por agjencia IRNA tha se një apel kundër dënimit me vdekje ishte refuzuar.

Ekzekutimi, i cili thuhet se ndodhi në një burg të qytetit Zahedan, erdhi një ditë pas sulmit të militantëve Baluç në një stacion policie në provincën Sistan-Baluçestan, ku u vranë 11 pjesëtarë personeli e u plagosën disa të tjerë.

Një funeral shtetëror u mbajt të shtunën për këta të vrarë në qytezën Rask, ku ndodhi sulmi, sipas televizionit shtetëror. Dy militantë të grupit “Jaish al-Adl” gjithashtu u vranë gjatë përleshjes.

Provinca e varfër, që shtrihet në kufi me Afganistanin e Pakistanin, ka qenë për një kohë të gjatë skenë e përleshjeve të shpeshta të forcave të sigurisë me militantë sunitë.

Popullsia në këtë provincë është kryesisht sunite, ndërsa shumica e iranianëve janë shiitë.

Lajme të ngjashme