Irani shprehet i gatshëm për çfarëdo hapi të nevojshëm për arritjen e paktit me ShBA-në
Irani është i gatshëm që të ndërmarrë çfarëdo hapi të nevojshëm për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, tha të martën zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Majid Takht-Ravanchi, kur dy vendet po përgatiten për një rund të ri bisedimesh.
Bisedimet e reja pritet të mbahen të enjten në Gjenevë, tha të hënën një zyrtar i lartë amerikan. Emisarët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të takohen me një delegacion iranian, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dy shtetet i rinisën bisedimet më herët këtë muaj, përderisa Uashingtoni ka grumbulluar kapacitete ushtarake në Lindjen e Mesme. Irani ka kërcënuar se do t’i godasë bazat amerikane në rajon, nëse sulmohet.
“Ne jemi të gatshëm për të arritur një marrëveshje sa më shpejt që është e mundshme. Do të bëjmë çfarëdo që nevojitet që kjo të ndodhë. Ne do të hyjmë në sallën e bisedimeve në Gjenevë me sinqeritet të plotë e me mirëbesim” – tha Takht-Ravanchi, sipas mediave shtetërore iraniane.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha të martën se opsioni i parë i presidentit Donald Trump është gjithmonë diplomacia, por se ai është i gatshëm që ta përdorë forcën vdekjeprurëse, nëse është e nevojshme.
Një zyrtar i lartë iranian i tha agjencisë “Reuters” të dielën se Teherani do t’i shqyrtonte seriozisht dërgimin e gjysmës së uraniumit më të pasuruar jashtë vendit, dobësimin e pjesës tjetër dhe pjesëmarrjen në themelimin e një konsorciumi rajonal të pasurimit – ide që në mënyrë periodike është ngritur gjatë punës diplomatike të ndërlidhur me Iranin ndër vite.
Ai shtoi se Irani do të bënte një gjë të tillë me kusht që Shtetet e Bashkuara t’ia njohin të drejtën për “pasurim bërthamor paqësor” sipas një marrëveshjeje që gjithashtu do ta përfshinte heqjen e sanksioneve ekonomike.
“Nëse ndodh një sulm ose agresion kundër Iranit, ne do të kundërpërgjigjemi sipas planeve tona të mbrojtjes... Një sulm amerikan ndaj Iranit është lojë fati e vërtetë” – shtoi Takht-Ravanchi./Nacionale