Irani e paralajmëron Izraelin kundër hakmarrjes për sulmin raketor
Komandanti i Rojave Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, e paralajmëroi të enjten Izraelit kundër hakmarrjes ndaj vendit të tij për sulmin me raketa, ndërsa ushtria izraelite e ashpërsoi ofensivën në Liban kundër Hezbollahut, grup i mbështetur nga Teherani.
“Ne ju themi juve [Izraelit] se nëse kryeni ndonjë agresion kundër çfarëdo pike, ne në mënyrë të dhimbshme do ta sulmojmë pikën tuaj të njëjtë” – tha Salami në një fjalim të transmetuar në televizion, duke shtuar se Irani mund ta shmangë mbrojtjen e Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, bisedoi të mërkurën me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant, për operacionet e Izraelit në Liban dhe Gaza, me qëllim të shmangies së një lufte rajonale.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, në vizita në Lindje të Mesme, u takua në Kajro me presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, i cili e përsëriti thirrjen e vendit të tij që të shmanget zgjerimi i konfliktit, tha presidenca egjiptiane.
Frika për një konflikt më të gjerë në Lindje të Mesme është shtuar, pasi Izraeli po e planifikon kundërpërgjigjen ndaj sulmit raketor të 1 tetorit nga Irani, që u krye pas sulmeve ajrore izraelite ndaj militantëve të lidhur me Teheranin.
Megjithatë, Izraeli nuk po shfaq shenja të zvogëlimit të fushatave ushtarake kundër Hezbollahut në Liban pas vrasjes së disa prej udhëheqësve të grupit, dhe kundër Hamasit në Gaza, ndërsa është zotuar se do ta ndëshkojë Iranin për sulmin e 1 tetorit.
Katari, që ka ndërmjetësuar në shumë bisedime të dështuara për armëpushim, tha se nuk ka pasur angazhim me asnjërën prej palëve gjatë tri deri katër javëve të fundit për luftën në Gaza./Nacionale