Irani e ekzekutoi hebreun 20 vjeç, Arvin Ghahremani
Arvin Nathaniel Ghahremani, burrë 20 vjeç hebre iranian, u ekzekutua nga autoritetet iraniane të hënën në mëngjes, raportuan mediat izraelite dhe organizata për të drejtat e njeriut, “Iran Human Rights”.
Organizata “Iran Human Rights” është organizatë joqeveritare që i përcjell ekzekutimet që kryhen nga autoritetet në Iran, raporton gazeta “Jerusalem Post”.
Sipas kësaj organizate, Ghahremani ishte arrestuar në moshën 18-vjeçare nën akuzën për vrasje dhe më pas ishte dënuar me vdekje.
Raportohet se i riu është ekzekutuar në Burgun Qendror të Kermanshah-ut, qytet që shtrihet në pjesën perëndimore të Iranit, afër kufirit me Irakun.
Pse ishte dënuar me vdekje?
Ekzekutimi i Ghahremani-t ishte shtyrë nga autoritetet në maj. Ai ishte dënuar me vdekje nën akuzën për vrasjen e Amir Shokri-ut, i cili kishte vdekur pas një luftimi në rrugë para dy vjetëve.
Në gjykatë ishte dorëzuar një peticion për lehtësimin e dënimit, por ai ishte hedhur poshtë.
Ghahremani raportohet se kishte rënë në pritë afër një palestre nga Shokri-u dhe shtatë burra të tjerë, sipas dokumenteve të siguruara nga mediumi “New York Post”, dhe kishte luftuar në vetëmbrojtje.
Hebreu i ri iranian ishte dënuar sipas ligjit sheriatik “qisas”. Familja e Shokri-ut duhej ta falte të akuzuarin që autoritetet t’ia kursenin jetën.
Uebfaqja “Ynet” raportoi se ekzekutimi i të dënuarit u bë pasi familja e viktimës kishte refuzuar një marrëveshje për kundërshpërblim të madh financiar, të ofruar nga familja e të dënuarit dhe komuniteti hebraik.
Sipas ligjeve iraniane, dënimi me vdekje mund të zbutet me një marrëveshje financiare, por vetëm me pëlqimin e familjes së viktimës./Nacionale