Irani dhe Arabia Saudite rinovojnë marrëdhëniet pas përçarjes shtatëvjeçare
Rivalët rajonalë të Lindjes së Mesme, Irani dhe Arabia Saudite, kanë rënë dakord të rivendosin marrëdhëniet diplomatike, shtatë vjet pas ndërprerjes së tyre.
Njoftimi i papritur erdhi pas katër ditë bisedimesh të zhvilluara në Kinës midis zyrtarëve nga të dyja palët.
Kujtojmë se Arabia Saudite ndërpreu marrëdhëniet me Iranin në janar të 2016-ës pasi demonstruesit sulmuan ambasadën e saj në Teheran, pas ekzekutimit nga Riadi të një kleriku të shquar mysliman shiit.
E që atëherë tensionet midis fqinjëve të udhëhequr nga sunitë dhe shiitë kanë qenë shpesh të larta. Të dy palët e konsiderojnë njëri-tjetrin si fuqi kërcënuese që kërkon dominimin rajonal, e po ashtu mbështesin palët rivalë në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë në Liban, Siri e Irak.
Irani ka mbështetur rebelët shiitë Houthi të cilët larguan me detyrim qeverinë e mbështetur nga Arabia Saudite në vitin 2014, ndërsa një vit më pas Arabia Saudite ka udhëhequr një fushatë ajrore shkatërruese ndaj këtij grupi.
Arabia Saudite gjithashtu ka akuzuar Iranin se ka ndihmuar Houthi-në ta sulmojnë atë, ku në incidentin më të rëndë të këtij lloji, dronë dhe raketa goditën objektet kryesore të naftës saudite në vitin 2019, duke shkaktuar dëme dhe ndërprerje të prodhimit. E për këtë sulm, si Arabia Saudite edhe ShBA fajësuan Iranin - diçka që Irani e mohoi.
Edhe pse të dy vendet edhe më parë kanë bërë përpjekje për për pajtim, nuk kanë pasur sukses, deri të premten ku vendet njoftuan së do të rihapin ambasadat brenda dy muajsh, si dhe do të vendosin marrëdhëniet tregtare dhe të sigurisë.
Ky njoftim është mirëpritur edhe nga ShBA-të, më zëdhënësin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i cili tha se administrata mbështet "çdo përpjekje për të ulur tensionet në rajon", por duke shtuar se mbetet për tu parë nëse Irani do të përmbushë detyrimet e tij.
Ndërkohë, shefi i OKB-së Antonio Guterres ka falënderuar Kinën për ndërmjetësimin e marrëveshjes.

