Arabia Saudite me projekt 800-miliardësh për kryeqytetin, do të ndërtohen 19 kilometra katrorë
Princi i Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman, caktoi një kompani për zbatimin e një projekti shumë ambicioz për zhvillimin e qendrës së kryeqytetit Riad si pjesë e planeve për ta bërë këtë qytet metropol global, ndërsa ekonominë më të llojllojshme.
Mbretëria e Arabisë Saudite synon që t’i dyfishojë madhësinë dhe numrin e popullsisë së kryeqytetit me investime me shumë totale prej 800 miliardë dollarësh sipas projektit “Vision 2030” për modernizimin e vendit dhe për zvogëlimin e varësisë nga të hyrat nga shitja e naftës, raporton agjencia “Reuters”.

Agjencia shtetërore e lajmeve, SPA, raportoi se projekti i kompanisë zhvillimore “New Murabba” do të përfshijë një muze, një universitet për teknologji dhe dizajn, një teatër me shumë funksione si dhe më shumë se 80 mijë objekte kulturore e zbavitëse.
Zhvillimi i këtij plani pritet të përfundojë në vitin 2030, kur pritet të mbahet panairi botëror, “Expo 2030”, për të cilin Arabia Saudite ka aplikuar për ta organizuar. Projekti përfshin zhvillim në një sipërfaqe prej 19 kilometrash katrorë në veriperëndim të Riadit dhe të ofrojë strehim për qindra mijëra banorë.

Agjencia SPA tha se është përgjegjësi e Fondit për Investime Publike që t’i përkrahë projektet e patundshmërive dhe të infrastrukturës lokale si dhe t’i bëjë më të llojllojshme burimet e të ardhurave në ekonomi.

Kjo agjenci raportoi se pritet që projekti t’ia shtojë 180 miliardë rialë (rreth 48 miliardë dollarë) prodhimit vendës bruto, duke e përjashtuar vlerën e prodhimit të naftës, si dhe të krijojë 334 mijë vende pune drejtpërdrejt e tërthorazi deri më 2030.

“Projekti Neë Murabba do të ndërtohet përreth konceptit të qëndrueshmërisë, me zona të gjelbra e shtigje për ecje e çiklizëm, të cilat do ta rrisin cilësinë e jetës përmes promovimit të stileve të shëndosha e aktive të jetës si dhe të aktiviteteve të komuniteteve”- shtoi agjencia shtetërore e lajmeve.