Iran: Arrestohet aktorja e filmit fitues të Oscar për 'përhapje të gënjeshtrave'
Media shtetërore iraniane, ka njoftuar se është arrestuar një nga aktoret më të famshme të Iranit, nën akuzat për “përhapje të gënjeshtrave”.
Sipas raportimeve, Taraneh Alidoosti, ylli i filmit fitues të Oscar, "Shitësi", është arrestuar një javë pasi kishte postuar në Instagram për njeriun e parë që u ekzekutua për shkak të protestave aktuale mbarëkombëtare.
Në postimin e saj, ylli 38-vjeçare kishte shkruar: ''Quhej Mohsen Shekari. Çdo organizatë ndërkombëtare që shikon këtë gjakderdhje dhe nuk merr masa, është një turp për njerëzimin”.
Ndërsa, sipas IRNA, agjencia zyrtare e lajmeve e Republikës Islamike, ajo ishte arrestuar pasi nuk kishte siguruar "asnjë dokument në përputhje me pretendimet e saj".
Edhe llogaria e saj në Instagram, e cila numëron më shumë se tetë milionë ndjekës është pezulluar.
Kujtojmë se Irani është përfshirë nga protestat që në muajin shtator, pas vdekjes në paraburgimin policor të 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nga policia e moralit për shkak të shamisë.
Që nga ajo kohë, protestat janë bërë një nga sfidat më serioze për regjimin iranian që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
