Iraku var tre persona për shpërthimin me më shumë se 300 të vdekur më 2016 - NACIONALE

Iraku var tre persona për shpërthimin me më shumë se 300 të vdekur më 2016

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet në Irak kanë ekzekutuar me varje tre persona të dënuar për përfshirje në shpërthimin e një automjeti në Bagdad, me ç’rast më shumë se 300 persona kishin vdekur e qindra të tjerë ishin lënduar më 2016.

Bomba kishte shpërthyer përderisa njerëzit po shijonin një mbrëmje në mjedis të hapur gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, raporton televizioni BBC.

Ky ishte shpërthimi më vdekjeprurës në Irak që nga pushtimi i vendit, i udhëhequr nga ShBA-ja, më 2003. ISIS-i e kishte marrë përgjegjësinë për këtë rast. Ky grup është mposhtur dhe e ka humbur kontrollin e territorit, por ende mbetet aktiv.

Zyra e kryeministrit të Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, tha se ekzekutimi i këtyre tre personave u krye të dielën ose të hënën. Në njoftim nuk u dhanë emrat e personave të ekzekutuar.

Një burim qeveritar i tha agjencisë së lajmeve, AFP, se Ghazwan al-Zawbaee, që konsiderohej organizator kryesor i sulmit, ishte në mesin e të ekzekutuarve. Ai ishte kapur dhe ishte kthyer në Irak më 2021.

3 korrik 2016, një automjet i mbushur me lëndë shpërthyese u hodh në erë pranë një qendre të ngarkuar tregtare në Karrada, zonë me popullsi kryesisht shiite në kryeqytetin irakian.

Shumë prej viktimave vdiqën nga një zjarr që e kishte përfshirë ndërtesën pas shpërthimit të bombës.

ISIS-i dikur kontrollonte një sipërfaqe prej 88 mijë kilometrash katrorë, nga Iraku deri në Siri. Edhe pas mposhtjes së këtij grupi në Irak më 2017 e në Siri më 2019, vlerësohet se mijëra militantë janë ende aktivë në të dyja shtetet.

Në mars, Kombet e Bashkuara vlerësuan se ISIS-i ende kishte 5 mijë deri në 7 mijë anëtarë dhe përkrahës në Irak dhe Siri.

Lajme të ngjashme