Irani ka ekzekutuar tetë persona për tri ditë, thonë aktivistët
Irani ka ekzekutuar të paktën tetë persona brenda tri ditëve, sipas aktivistëve lokalë. Shumica ishin të shpallur fajtorë për shkelje rreth drogës.
Organizata e njohur për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, rishtazi e ka kritikuar ashpër Iranin, duke thënë se ky shtet i ka shndërruar burgjet e veta në “fusha të vrasjes”.
Organizata “Fushata e Aktivistëve Baluch” tha të hënën se katër ekzekutime, të gjitha të lidhura me akuza për drogë, kanë ndodhur në burgun e Zahedanit. Ky grup i identifikoi të ekzekutuarit si Abdulsamad Khadem, 29 vjeç nga Zahaku, Yaqub Ejbari, baba i tetë fëmijëve nga fshati Qarqaruk, Mohammad Anëar Barahui dhe një person me mbiemrin Qanbarzehi, të dy nga Zahedani, që ndodhet në juglindje të provincës Sistan-Baluchistan, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Për më tepër, dy të burgosur të komunitetit Baluch – të identifikuar si Abdulsamad Shahuzehi dhe Mahmud Rigi – u ekzekutuan në burgun e Zahedanit të shtunën, pasi ishin shpallur fajtorë për një vrasje të përbashkët më 2012.
Grupi për të drejta tha se nga prilli, 84 të burgosur të komunitetit Baluch, përfshirë katër gra, janë ekzekutuar.
Disa raportime nga disa media gjithashtu e konfirmuan ekzekutimin e një personi të paidentifikuar në një burg në qytetit Dezful më shtunën nën akuzat për shkelje rreth drogës, ndërsa Agjencia e Lajmeve për të Drejtat e Njeriut raportoi një ekzekutim të lidhur me drogën në burgun e Sheibanit të shtunën. Individi i quajtur Abdulreza Qalavand ishte mbajtur në burg për një dekadë para se të ekzekutohej.
Organizata “Amnesty International” thotë se regjimi në Teheran ekzekuton më shumë njerëz se secili shtet tjetër në botë përpos Kinës dhe e kritikoi këtë situatë që i ka kthyer burgjet e vendit në “fusha të vrasjes”.
