Irani ekzekuton tre burra të akuzuar për vrasje gjatë protestave të vitit të kaluar - NACIONALE

Irani ekzekuton tre burra të akuzuar për vrasje gjatë protestave të vitit të kaluar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Irani të premten ekzekutoi tre burra të akuzuar për dhunë vdekjeprurëse gjatë protestave anti-qeveritare të vitit të kaluar pavarësisht nga ankesat e grupeve për të drejtat e njeriut.

Uebfaqja e sistemit gjyqësor të Iranit, Mizan, njoftoi për ekzekutimin e Majid Kazemit, Saleh Mirhashemit dhe Saeed Yaghoubit, pa treguar se si është kryer ekzekutimi. Autoritetet thonë se këta tre burra vranë një polic dhe dy anëtarë të grupit paramilitar “Basij” në Isfahan në nëntor gjatë protestave gjithëkombëtare.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se tre të akuzuarit ishin torturuar, ishin detyruar që të rrëfeheshin në televizion dhe u ishte mohuar procesi i duhur gjyqësor, raporton agjencia “Associated Press”.

Protestat në Iran shpërthyen në shtator, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nga policia e moralit nën dyshimin se e kishte shkelur kodin islamik të veshjes. Protestat eskaluan shpejt në thirrje për rrëzimin e teokracisë që e ka pushtetin në Iran që nga Revolucioni Islamik më 1979.

Irani ka ekzekutuar gjithsej shtatë persona në lidhje me protestat. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se këta dhe disa të tjerë, që janë dënuar me vdekje, janë ndëshkuar nga gjykata të fshehta të sigurisë shtetërore dhe u është mohuar e drejta për ta mbrojtur veten.

Robert Malley, emisar i Shteteve të Bashkuara për Iranin, ka folur kundër ekzekutimit të menjëhershëm të tre burrave, duke e quajtur atë “fyerje ndaj të drejtave të njeriut dhe dinjitetit elementar të të gjithë iranianëve” që tregon se qeveria iraniane “nuk ka mësuar asgjë nga protestat”.

Më shumë se 500 persona ishin vrarë gjatë protestave që zgjatën me muaj, përfshirë dhjetëra pjesëtarë të forcave të sigurisë. Rreth 19 mijë njerëz ishin arrestuar, edhe pse shumë prej tyre tashmë janë liruar.

Irani është njëri ndër vendet që ekzekuton më së shumti të dënuar në botë. Të paktën 582 të dënuar raportohet se janë ekzekutuar në Iran më 2022, dukshëm më shumë se 333 më 2021. Rritja e numrit të të ekzekutuarve është kritikuar nga zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe nga aktivistët për të drejtat e njeriut.

Lajme të ngjashme