Inteligjenca ushtarake franceze tregon se kush mund të jetë prapa sulmit në spitalin e Gazës, e konteston numrin e viktimave - NACIONALE

Inteligjenca ushtarake franceze tregon se kush mund të jetë prapa sulmit në spitalin e Gazës, e konteston numrin e viktimave

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sipas një vlerësimi të inteligjencës ushtarake franceze, shkaktarja më e mundshme e shpërthimit vdekjeprurës në spitalin “Al-Ahli” në Gaza ishte një raketë palestineze me ngarkesë të lëndës shpërthyese prej rreth pesë kilogramësh dhe potencialisht e hedhur në mënyrë të dështuar, tha të premten një zyrtar ushtarak francez.

Disa raketa në arsenalin e Hamasit mund të bartin ngarkesa që kanë peshë të përafërt sa vlerësimi i inteligjencës franceze, përfshirë një raketë të prodhimit iranian dhe një të prodhimit palestinez, tha zyrtari i inteligjencës. Ai shtoi se asnjë informatë e inteligjencës nuk ishte shenjë se shpërthimi mund të ishte shkaktuar nga ndonjë sulm izraelit, raporton agjencia "Associated Press".

Zyrtari francez foli në kushte anonimiteti, por kishte marrë dritë të gjelbër për ta diskutuar vlerësimin nga presidenti francez, Emmanuel Macron, në atë që u përshkrua si përpjekje për të qenë transparentë rreth rezultateve të hulumtimit të inteligjencës franceze. Vlerësimi është mbështetur në të dhëna të klasifikuara, pamje satelitore, në të dhëna të inteligjencës të ofruara nga shtete të tjera dhe në të dhëna nga burime të hapura, shtoi zyrtari.

Inteligjenca ushtarake franceze vlerësoi se madhësia e gropës në oborrin e spitalit ishte rreth një metër e gjatë, 75 centimetra e gjerë dhe rreth 30 deri në 40 centimetra e thellë.

Këto të dhëna janë në përputhje me një ngarkesë të lëndës shpërthyese prej rreth pesë kilogramësh, tha zyrtari francez, duke shtuar se gropa dukej paksa e drejtuar në boshtin nga jugu drejt veriut, duke sugjeruar se predha kishte goditur në kënd të zhdrejtë me trajektore jug – veri.

Zyrtarët në Gazën e qeverisur nga Hamasi e fajësuan shpejt Izraelin për shpërthimin në spital të martën. Izraeli mohoi se ishte i përfshirë dhe publikoi video, incizime të zërit e dëshmi të tjera për të cilat tha se tregojnë që shpërthimi ishte shkaktuar nga një raketë e hedhur gabimisht nga Xhihadi Islamik, grup militant palestinez. Sidoqoftë, ky grup e ka mohuar përgjegjësinë.

Numri i të vrarëve mbetet i paqartë. Pak më shumë se një orë pas shpërthimit, Ministria e Shëndetësisë e menaxhuar nga Hamasi tha se 500 njerëz kishin vdekur. Më pas e ndryshoi numrin në 471 të mërkurën, pa dhënë hollësi. Ushtria izraelite u ka thënë gazetarëve se kjo shifër është e fryrë.

Përderisa paralajmëroi se “nuk kishte bindje të plotë”, zyrtari i inteligjencës ushtarake franceze tha: “Nuk shohim aspak që një raketë e asaj madhësie do të mund të shkaktonte 471 të vdekur. Nuk është e mundshme.”

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme