Inteligjenca ukrainase e konfirmon helmimin e Budanovës: Ajo ndodhet në spital
Burime brenda komunitetit ukrainas të inteligjencës ia kanë konfirmuar gazetës “Kyiv Post” lajmin se gruaja e shefit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, është helmuar.
Kur u pyet për t’i konfirmuar raportimet se Marianna Budanova është sëmurë, një burim në Inteligjencën e Mbrojtjes të Ukrainës i tha gazetës: “Fatkeqësisht, kjo është e vërtetë.”
“Ajo shkoi te mjeku me kohë. Nëse do të shkonte një javë më vonë, pasojat do të ishin më të rënda”- shtoi burimi.
Burimi nuk dha hollësi të mëtejme, por sipas revistës “Babel”, zonja 30-vjeçare tash për tash është duke u trajtuar në spital për helmim me metale të rënda.
Një hetim është duke u zhvilluar nën dyshimin për vrasje në tentativë të gruas së shefit të agjencisë për inteligjencë të mbrojtjes.
Budanovi kishte thënë në gusht se bashkëshortja e tij ishte duke jetuar me të në zyrë dhe se nuk ishte larguar prej tij që nga fillimi i pushtimit rus për arsye sigurie.
Rusia është akuzuar në shumë raste për kryerje të vrasjeve dhe të vrasjeve në tentativë me helme të ndryshme, përfshirë metalet e rënda.
