Raportohet se është helmuar me metale të rënda gruaja e shefit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës
Bashkëshortja e kreut të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, është helmuar me metale të rënda, raportuan të martën disa media ukrainase, duke cituar burime të paidentifikuara të inteligjencës.
Marianna Budanova është bashkëshortja e kreut të agjencisë për inteligjencë ushtarake, GUR, e cila është përfshirë në operacione klandestine kundër forcave ruse gjatë tërë luftës në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.
Profili publik i Budanovit ka shënuar ngritje në Ukrainë, ku portretizohet si organizator prapa perdes i përpjekjeve për kundërsulme ndaj Rusisë. Në mediat ruse, ai është figurë e urryer.
Nëse vërtetohet si veprim i qëllimshëm, helmimi i raportuar i bashkëshortes së tij do ta paraqiste shënjestrimin më serioz të një anëtari të familjes së një figure të lartë të udhëheqësisë ukrainase që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit të kaluar.
Inteligjenca ushtarake dhe shërbimet për siguri të brendshme të Ukrainës nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Në raportimet e mediave ukrainase nuk jepet ndonjë sugjerim se kush mund të qëndrojë prapa helmimit të pretenduar ose për kohën se kur ka ndodhur ai.
