Inteligjenca e Finlandës thotë se po e shikon nga afër pozicionin e ShBA-së ndaj Rusisë
Shërbimi finlandez i sigurisë dhe inteligjencës, Supo, është duke e shikuar nga afër atë se si inteligjenca amerikane po e pozicionon veten në raport me Rusinë nën pushtetin e administratës së presidentit Donald Trump, tha të martën drejtori i këtij shërbimi, Juha Martelius.
Supo të martën publikoi një analizë të sigurisë kombëtare, në të cilën e identifikoi Rusinë si kërcënimin më të madh ndaj Finlandës, e cila ka kufi të përbashkët prej 1.340 kilometrash me Rusinë dhe u bë anëtare e NATO-s më 2023 si reagim ndaj fillimit të pushtimit të Ukrainës nga forcat ruse, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka pezulluar ndihmat ushtarake për Ukrainën pas përplasjes verbale me homologun Volodymyr Zelensky javën e kaluar dhe ka zbatuar një qëndrim më pajtues ndaj Moskës.
Kur u pyet nga gazetarët nëse ShBA-së ende mund t’i besohet si një aleate e inteligjencës, finlandezi Martelius tha se shkëmbimi i informacioneve vazhdon si më parë, përcjell gazeta "Nacionale".
“Natyrisht, ky është një zhvillim të cilin ne jemi duke e ndjekur shumë për së afërmi dhe, natyrisht, njësoj po veprojnë edhe shërbimet e tjera të inteligjencës dhe sigurisë në Evropë që janë aleate të Shteteve të Bashkuara” – tha ai para gazetarëve.
Më tej, Marteliusi tha se afrimi i Trumpit me Rusinë ende nuk ka pasur ndikim mbi bashkëpunimin në fushën e inteligjencës në nivelin praktik.
“Nëse duket se interesat e Shteteve të Bashkuara në drejtimin e veprimeve të tyre për t’iu kundërvënë Rusisë konkretisht janë duke u zbehur, atëherë është e qartë se secili aktor perëndimor duhet të shqyrtojë forma të reja të bashkëpunimit dhe gjithashtu zhvillim të mëtejmë të përpjekjeve të tyre” – tha shefi i inteligjencës finlandeze.
Në analizën e vet, shërbimi Supo tha se kërcënimi ndaj sigurisë që paraqitet nga Rusia kundër Finlandës e Evropës do të vazhdojë të rritet, edhe nëse lufta në Ukrainë merr fund.
“Kur lufta në Ukrainë të përfundojë, burimet e Rusisë do të lirohen për ndikim në vende të tjera” – thuhet në raport./Nacionale