Inteligjenca britanike: Sulme intensive ruse në Bakhmut, ukrainasit kanë bërë tërheqje të organizuar
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar pretendon në përditësimin e ri të të dhënave të inteligjencës se forcat ukrainase kanë bërë tërheqje të organizuar nga disa pozicione që janë detyruar t’i dorëzojnë.
“Rusia e ka rienergjizuar sulmin e saj ndaj qytezës së rajonit Donetsk, Bakhmut, pasi forcat e ministrisë ruse dhe ato të grupit “Wagner” e kanë përmirësuar bashkëpunimin”- thuhet në deklaratën e ministrisë britanike.
“Mbrojtja ukrainase ende i mban distriktet perëndimore të qytezës, por ka qenë subjekt i zjarrit posaçërisht intensiv të artilerisë ruse gjatë 48 orëve të kaluara”- thuhet më tej.
“Grupet e sulmit të Wagner-it vazhdojnë që ta kryejnë avancimin kryesor përmes qendrës së qytezës, ndërsa forcat parashutiste ruse u kanë ofruar lehtësim disa njësiteve të Wagner-it duke i siguruar krahët veriorë e jugorë të operacionit”- pretendon inteligjenca britanike e mbrojtjes.
(4/4) Ukrainian forces face significant resupply issues but have made orderly withdrawals from the positions they have been forced to concede.
— Ministry of Defence 🇬🇧 (@DefenceHQ) April 14, 2023
“Forcat ukrainase kanë probleme të konsiderueshme për rifurnizim, por kanë bërë tërheqje të organizuara nga pozicionet që janë detyruar t’i dorëzojnë”- thuhet në përditësimin e të dhënave.
Këto pretendime nuk janë vërtetuar në mënyrë të pavarur. Megjithatë, edhe zyrtarët në Kiev kanë thënë se ushtria ruse kreu të enjten sulme të paepura në Bakhmut dhe e bombardoi qytetin Kherson.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, tha se luftimet e ashpra i kanë përfshirë të gjitha pjesët e frontit lindor. Ajo tha se forcat pro-Kievit i kanë zmbrapsur sulmet në shumicën e zonave.
“Armiku është duke i përdorur njësitet e veta më profesioniste atje dhe po përdor sasi të konsiderueshme të artilerisë dhe aviacionit. Çdo ditë, armiku kryen në Bakhmut nga 40 deri në 50 operacione të stuhishme dhe 500 episode të granatimeve”- shkroi ajo në rrjetin “Telegram”.
