Incident afër Shtëpisë së Bardhë, vetura i ik Shërbimit Sekret dhe godet këmbësorë, një i vdekur
Një person ka vdekur, pasi një drejtues veture, që po ikte nga ndalimi prej Shërbimit Sekret, goditi disa këmbësorë afër Shtëpisë së Bardhë.
Aksidenti fatal në zemër të Uashingtonit ndodhi pasi policët e ndalën veturën për shkak të skadimit të targave të regjistrimit, raporton televizioni BBC.
I dyshuari hyri në të kuqen në semafort dhe goditi disa persona mbi vija të bardha para se të ikte, tha Shërbimi Sekret. Ai është ende në arrati.
Incidenti ndodhi pak para orës 13 e 30 minuta të mërkurën, kur oficerët në uniformë të Shërbimit Sekret e ndalën drejtuesin, i cili ishte duke drejtuar një veturë të tipit “Honda Accord” të vitit 2006.
I dyshuari “dha shenjë se do ta ndalte veturën, por pastaj iku shpejt”- thuhet në një deklaratë të Shërbimit Sekret.
Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, tha se policia ishte duke punuar për ta lokalizuar të dyshuarin.
“Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen e viktimës”- tha ai.
Oficerët që ishin në vendin e ngjarjes, ku zakonisht ka shumë turistë e vizitorë, ua ofruan ndihmën e parë personave të lënduar.
“Një person u dërgua nga vendi i ngjarjes në gjendje kritike dhe më vonë nuk u mbijetoi plagëve në një spital të zonës”- thanë zyrtarët në një deklaratë.
Viktima ishte një burrë 75-vjeçar, sipas CBS-së. Një vajzë 13-vjeçare u trajtua në vendin e ngjarjes, sipas raportimeve lokale.