Identifikohen katër viktimat që u vranë nga 14-vjeçari në një shkollë të ShBA-së - NACIONALE

Identifikohen katër viktimat që u vranë nga 14-vjeçari në një shkollë të ShBA-së

4 ditë më parë

nga NACIONALE

I dyshuari 14-vjeçar për vrasjen e katër personave në një shkollë në Georgia të Shteteve të Bashkuara, Colt Gray, do të akuzohet për vrasje në lidhje me vdekjen e dy mësuesve dhe dy nxënësve në Shkollën e Mesme “Apalachee” në qytetin Winder, thanë autoritetet amerikane.

Viktimat e këtij sulmi ishin: Mason Schermerhorn, 14 vjeç, Christian Angulo, gjithashtu 14 vjeç, Richard Aspinwall, 39 vjeç, dhe Christina Irimie, 53 vjeçe, sipas drejtorit të Byrosë së Hetimeve në Georgia, Chris Hosey, raporton televizioni CNN.

Gray është nxënës i shkollës ku e kreu sulmin dhe do të trajtohet si i rritur nga sistemi i drejtësisë, bëri të ditur Hosey në një konferencë të mëhershme për gazetarë.

Nëntë viktima të tjera – tetë nxënës dhe një mësues – u dërgua në spitale pas të shtënave të mërkurën në mëngjes.

Të shtënat i nxitën nxënësit dhe mësuesit që dëshpërimisht të kërkonin strehim, përderisa shkollat në mbarë distriktin u izoluan dhe prindërit po mundoheshin që të siguronin informacione.

Gjatë të shtënave, 14-vjeçarja Macey Right i shkroi mesazh nënës së saj, duke i thënë se kishte dëgjuar të shtëna dhe kishte kërkuar nga nëna që të shkonte në shkollë dhe ta merrte. Vajza dhe shoqet e shokët e saj i mbajtën duart ngjitur dhe u lutën në klasë, tha ajo.

“Dëgjova të shtëna jashtë klasës sime dhe njerëz duke bërtitur, njerëz duke u përgjëruar që të mos qëlloheshin me armë, pastaj njerëz duke u ulur pranë meje vetëm duke u dridhur e duke qarë” – tha nxënësja amerikane.

Në maj të vitit të kaluar, i dyshuari për këtë sulm ishte intervistuar nga autoritetet e rendit, pasi FBI-ja kishte marrë “disa këshilla anonime për kërcënime në internet për kryerjen e një sulmi me armë në shkollë në një vend dhe kohë të paidentifikuar”.

Lajme të ngjashme