Dy zjarrfikës francezë vdesin gjatë luftës me zjarrin afër aeroportit të Bordosë
Dy zjarrfikës kanë vdekur gjatë luftës me flakët afër aeroportit të Bordosë në jugperëndim të Francës, sipas zyrtarëve të shtetit evropian.
Në raportimet e mediave franceze thuhet se zjarri afër njërit prej parkingjeve në aeroport e kishte prejardhjen nga një zjarr në shkurre e pastaj u përhap në një ndërtesë, raporton televizioni BBC.
Në fotografi të publikuara në rrjete sociale shihen pasagjerë duke dalë nga një aeroplan, ndërsa një shtëllungë e madhe tymi ngrihet në qiell afër aeroportit.
Rreth 100 zjarrfikës, të mbështetur nga aeroplanë të specializuar, raportohet se po mundohen ta shuajnë zjarrin.
Ministri i Punëve të Brendshme, Laurent Nunez, tha se ishte njoftuar për vdekjen e dy zjarrfikësve nga zyrtarët në distriktin Gironde.
Disa fluturime që ishin planifikuar të aterronin në aeroportin Bordeaux-Merignac janë shtyrë.
Ministri raportoi për dy zjarrfikësit e vdekur gjatë një seance me pyetje dhe përgjigje në Kuvend të martën dhe tha se do të udhëtonte për në Gironde “sa më shpejt që është e mundshme” për t’i mbikëqyrur përpjekjet e zjarrfikësve.
Gironde është njëri nga distriktet franceze që janë goditur nga zjarret në natyrë ditëve të fundit pas disa valëve të gjata e të pazakonshme të vapës.
Gjithashtu të martën, një zjarr i ri shpërtheu në distriktin juglindor, Var. Franca ka regjistruar gati 11 mijë zjarre që nga fillimi i vitit. Javën e kaluar, presidenti Emmanuel Macron tha se në vend nuk ka pasur kaq shumë zjarre që nga Lufta e Dytë Botërore./Nacionale