“I qëndrojmë pranë”: Greqia i del krah Qipros pas kërcënimit nga Hezbollahu
Ministri i Jashtëm i Greqisë, George Gerapetritis, ka thënë se vendi i tij i qëndron pranë Qipros pas një kërcënimi nga grupi me bazë në Liban, Hezbollah, se shteti ishullor i BE-së do të vihej në shënjestër, nëse do ta lejonte Izraelin që ta përdorte territorin e tij në rast konflikti.
“Është absolutisht e papranueshme që të bëhen kërcënime kundër një shteti sovran të Bashkimit Evropian” – tha kryediplomati grek, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Ne qëndrojmë pranë Qipros dhe do të jemi të gjithë bashkë në të gjitha llojet e kërcënimeve globale që vijnë nga organizata terroriste” – shtoi ministri Gerapetritis.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se Lindja e Mesme është afër që ta shohë zgjerimin e konfliktit mes Izraelit e Hamasit në Liban, disa ditë pasi Hezbollahu e kërcënoi Qipron.
“Rreziku që kjo luftë ta prekë jugut e Libanit dhe të përhapet është përditë më i madh” – iu tha kryediplomati evropian gazetarëve para një takimi të ministrave të jashtëm në Luksemburg. Nuk qe e qartë nëse ai e përmendi ndikim e mundshëm ndaj Izraelit. “Jemi në prag të zgjerimit të luftës” – paralajmëroi Borrelli.
Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, nisi që ta sulmonte Izraelin një ditë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, që e nxiti luftën në Gaza. Hezbollahu ka thënë se nuk do të ndalet derisa të arrihet një armëpushim në enklavën palestineze.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, tha javën e kaluar se asnjë vend në Izrael nuk do të ishte i sigurt, nëse do të shpërthente një luftë e plotë. Ai gjithashtu i kërcënoi për herë të parë Qipron dhe pjesë të tjera të Mesdheut.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila këtë javë do t’i vizitojë Izraelin dhe Libanin, tha se situata është shumë shqetësuese. “Një eskalim i mëtejmë do të ishte katastrofë për njerëzit në rajon” – tha ajo.
Më shumë rreth kërcënimit të Hezbollahut ndaj Qipros mund të lexoni në artikullin e mëposhtëm:
Hezbollahu e kërcënon Qipron, nëse ia jep Izraelit territorin për përdorim në konflikt