Hungaria thotë se s’mund të përkrahë sanksione të reja energjetike të BE-së ndaj Rusisë
Hungaria nuk mund ta përkrahë rundin e tetë të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, nëse në to përfshihen sanksione të enerjgisë, tha të enjten shefi i stafit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Komisioni Evropian të mërkurën propozoi sanksione të reja kundër Rusisë, përfshirë kufizimet më të ashpra tregtare, më shumë futje të individëve në listën e zezë dhe vendosjen e kufirit të çmimit të naftës për vendet e treta.
Sanksionet e propozuara nuk përfshijnë masa më të ashpra, përfshirë ndalimin e importimit të diamanteve ruse, që është kërkuar nga Polonia dhe vendet baltike.
Sidoqoftë, shtetet e BE-së kanë nevojë për unanimitet për të vendosur sanksione dhe Orbani ka qenë kritik i zëshëm i tyre, duke thënë të hënën se sanksionet e BE-së janë kthyer bumerang me shtrenjtim të energjisë dhe goditje ndaj ekonomive evropiane.
“Hungaria tashmë ka bërë shumë për ta mbajtur unitetin evropian, por nëse ka sanksione ekonomike në pako, atëherë ne nuk mundemi dhe nuk do t’i përkrahim ato”, tha Gegely Gulyas.
“Jemi duke e pritur listën e plotë dhe përfundimtare të sanksioneve dhe atëherë mund të bisedojmë për të. Hungaria nuk mund t’i përkrahë sanksionet e energjisë”, shtoi ai./Nacionale

