Orbani godet partinë e Bidenit midis Teksasit: Ata më urrejnë, të ketë më pak "drag queens" e më shumë Chuck Norris-a - NACIONALE

Orbani godet partinë e Bidenit midis Teksasit: Ata më urrejnë, të ketë më pak "drag queens" e më shumë Chuck Norris-a

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha në një konferencë të konservatorëve në Teksas se Perëndimi është mbyllur në një përplasje të civilizimeve.

Politikani i së djathtës mori duartrokitje të fuqishme në Konferencën Konservatore për Veprim Politik në Teksas.

Fjalimi i kryeministrit hungarez erdhi pasi një këshilltare e tij dha dorëheqje për shkak të komenteve të tij, që ajo i cilësoi si “puro naziste”.

Orbani tha se hungarezët nuk duan që të bëhen njerëz të racës së përzier.

Duke folur të enjten në Dallas, ai nuk i adresoi drejtpërdrejt këto fjalë, por tha: “Një politikan i krishterë nuk mund të jetë racist.”

Ai gjithashtu tha se ata që e konsiderojnë atë racist ose anti-semit, janë “thjesht idiotë”.

“Unë tashmë mund t’i shoh titujt kryesorë të së nesërmes: I forti racist i së djathtës ekstreme evropiane, kali i Trojës i Putinit, mban fjalim në konferencën konservatore”, tha kryeministri hungarez.

“Por nuk dua që t’u japë atyre ndonjë ide, ata dinë më së miri se si të shkruajnë lajme të rreme”, shtoi ai.

Orbani, që është në pushtet nga viti 2010, i kritikoi ish-presidentin amerikan, Barack Obama, donatorin e madh të Partisë Demokratike, George Soros, dhe “globalistët”.

“Duhet t’i kthejmë institucionet në Uashington e në Bruksel. Duhet ta bashkërendojmë lëvizjen e trupave tona, sepse ballafaqohemi me sfidën e njëjtë. Ju keni dy vjet për t’u përgatitur”, shtoi ai, duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale në ShBA më 2024.

Ai u nderua me duartrokitje të gjatë e qëndrim në këmbë nga pjesëmarrësit, kur lexoi një pjesë të kushtetutës së Hungarisë, ku thuhet se martesa është vetëm mes një burri dhe një gruaje.

“Më pak drag queen-a e më shumë Chuck Norris-a”, tha ai.

Orbani e kritikoi Partinë Demokratike të ShBA-së: "Ata më urrejnë mua dhe na përgojojnë mua e vendin tim, siç ju urrejnë e ju përgojojnë juve dhe Amerikën për të cilën ju qëndroni", tha kryeministri hungarez.

Duke folur muajin e kaluar në Rumani, Orbani nxiti reagime, kur tha: “Ne jemi të gatshëm që të përzihemi me njëri-tjetrin, por nuk duam që të bëhemi popull i racës së përzier.”

Të martën, ai e vizitoi ish-presidentin amerikan, Donald Trump, në klubin e tij të golfit në Bedminster.

Trumpi, që Orbanin e ka cilësuar mik, do të flasë në konferencën e konservatorëve të shtunën./Nacionale

Lajme të ngjashme