Hungaria bllokoi ndihmën për Ukrainën, Gjermania u tha atyre të mos "luajnë poker"
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock është e zemëruar me Hungarinë për bllokimin e një pakete ndihme prej 18 miliardë eurosh për Ukrainën. Ajo paralajmëroi Budapestin që të mos “luaj poker” me fondet e nevojshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre me Brukselin, raporton Politico.
Shumë diplomatë nga Bashkimi pajtohen me Baerbock dhe kanë akuzuar kryeministrin Viktor Orban për shantazh.
Paketa e ndihmës prej 18 miliardë euro, e paraqitur nga Komisioni Evropian të mërkurën, duhet të ndihmojë ekonominë dhe shërbimet publike të Ukrainës për të rindërtuar infrastrukturën kryesore të shkatërruar nga rusët në luftë gjatë vitit të ardhshëm.
Në një takim të ambasadorëve të BE-së, të mbajtur gjithashtu të mërkurën, Hungaria tha se nuk mund të mbështeste paketën e ndihmës. Kjo lëvizje e Hungarisë është shqetësuese sepse ndihmat nuk mund të shkojnë në Ukrainë pa pëlqimin e të 27 vendeve anëtare të Bashkimit. Vendimi i Hungarisë zemëroi zyrtarët në Bruksel, Berlin dhe kryeqytete të tjera të BE-së. Disa zyrtarë kanë thënë se Hungaria po përpiqet të shantazhojë BE-në me masën për të siguruar që do të marrë 13 miliardë euro fonde të BE-së muajin e ardhshëm, të cilat mund të bllokohen javën e ardhshme për shkak të problemeve në rritje me kërcënimin ndaj demokracisë.
Hungaria do t'i marrë paratë kur të zbatojë masat kundër korrupsionit dhe të reformojë gjyqësorin
“Ndihma financiare dhe humanitare për Ukrainën nuk është një çështje e zakonshme evropiane rreth së cilës mund të luani poker dhe të negocioni pafundësisht mbi burimet”, tha ministrja gjermane. "Ne po përpiqemi të bëjmë mbështetjen financiare nga Evropa për të shpëtuar jetë," tha Baerbock në një konferencë shtypi në Berlin.
"Ne jemi dëshmitarë se të paktën 30 për qind, nëse jo 40 për qind, e infrastrukturës civile në Ukrainë është shkatërruar," tha ajo, duke shtuar se paketa e ndihmës duhet të miratohet shpejt sepse "dimri është afër".
Të martën, ministri hungarez i financave Mihaly Varga u përpoq të justifikonte kundërshtimin e Hungarisë ndaj ndihmës: "Hungaria është e gatshme të ndihmojë Ukrainën, por ne nuk duam t'i shtojmë ndonjë huamarrjeje të re që BE-ja do të duhet të marrë."
Hungaria po përballet me presione financiare në rritje për shkak se BE-ja po e kërcënon me anulimin e 7.5 miliardë eurove nga fondet evropiane. Në BE këtë e mundësojnë mekanizmat që lidhin pagesën e parave nga fondet me standardet e shtetit ligjor.
Në rrezik janë edhe 5.8 miliardë euro nga fondet për shërim nga koronavirusi. Brukseli do të zhbllokojë fondet nëse Hungaria zbaton masat kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi. /Nacionale/