Hoteli në Budva ku u helmuan turistët ishte i hapur pavarësisht ndalimit - NACIONALE

Hoteli në Budva ku u helmuan turistët ishte i hapur pavarësisht ndalimit

4 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Inspeksioni turistik malazez mbylli hotelin Loza në Budva, ku ishin akomoduar rreth 100 turistë të cilët dje kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të helmimit nga ushqimi.

Siç ka bërë të ditur Ana Vujosheviq, drejtoreshë e Drejtorisë për çështje të inspektimit, kjo është hera e tetë që brenda pak muajsh mbyllet hoteli Loza në Budvë.

"Të gjitha njësitë akomoduese në hotel (100 dhoma), restorant dhe kuzhinë janë të vulosura. Pra, i gjithë objekti", tha Vujosheviq për portalin RTCG dhe theksoi se vulat ishin hequr ilegalisht shtatë herë më parë, që është një vepër penale sipas ligjit malazez.

Mysafirët që qëndrojnë në hotele të tjera paguhen nga Ministria e Malit të Zi

Instituti Malazez për Shëndet Publik njoftoi më herët se kishte marrë mostra nga ambientet e hotelit dhe i kishte dërguar për analiza për të përcaktuar shkakun e helmimit të turistëve. Mysafirët që kanë qëndruar në Hotel Loza tani më së shumti akomodohen në hotele të tjera në Budva me shpenzimet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit malazez.

Drejtuesit e komunës së Budvës kanë konfirmuar mbrëmë vonë se rreth 100 turistë, kryesisht nga Polonia, Sllovakia, Sllovenia dhe Kroacia, janë paraqitur në spitalet në Kotorr, Tivar dhe Cetinje me probleme të tretjes.

Ministri malazez i Shëndetësisë në Qeverinë Teknike, Dragoslav Scekic, gjithashtu shkroi në Twitter dhe shkroi se institucionet shëndetësore malazeze "me shpejtësi dhe me përgjegjësi ofruan kujdesin e nevojshëm shëndetësor". /Nacionale/

Lajme të ngjashme