Hap i guximshëm, disa deputetë rusë bëjnë thirrje për dorëheqjen e Putinit
Deputetët nga 18 rrethe komunale në Moskë, Shën Petersburg dhe Kolpino kanë bërë thirrje për dorëheqjen e presidentit rus Vladimir Putin, sipas një peticioni me një listë nënshkrimesh të publikuar në Twitter të hënën.
“Ne, deputetët komunalë të Rusisë, besojmë se veprimet e presidentit të saj Vladimir Putin janë të dëmshme për të ardhmen e Rusisë dhe të qytetarëve të saj. Ne kërkojmë dorëheqjen e Vladimir Putin nga posti i Presidentit të Federatës Ruse”, thuhet në peticionin e postuar nga Ksenia Thorstrom, një deputete lokale e rrethit Semenovsky në Shën Petersburg.
Të zemëruar nga lufta e vendit të tyre në Ukrainë, zyrtarët rusë kanë ndërmarrë hapin e guximshëm duke bërë thirrje publike për dorëheqjen e Vladimir Putin.
Ndërsa Ukraina filloi një kundërsulm të suksesshëm kundër pozicioneve të pushtuara nga Rusia në rajonin e Kharkiv, deputetët poashtu kanë lëshuar një deklaratë duke kërkuar që Putin të gjykohet për tradhti.
E kritikat ndaj presidentit rus kanë depërtuar edhe në mediat e vendit.
Në një shfaqje të rrallë sfide, Boris Nadezhdin, një ish politikan liberal, i tha një kanali në pronësi të Gazprom se Putin ishte mashtruar duke menduar se Ukraina do të kapitullonte nëse ai pushtonte.
“Tani jemi në pikën ku duhet të kuptojmë se është absolutisht e pamundur të mposhtim Ukrainën duke përdorur ato burime dhe metoda koloniale me të cilat Rusia po përpiqet të bëjë luftë”, tha ai.
Nadezhdin tha se mbështetja e Rusisë tek mercenarët dhe dështimi i saj për të mobilizuar rezervat e saj do të thotë se vendi do të luftojë kundër një ushtrie ukrainase të mbështetur nga armët evropiane.
"Një ushtri e fortë po i kundërvihet ushtrisë ruse," paralajmëroi ai.
Edhe pse të tjerët kanë qenë më të kujdesshëm në kritikat e tyre, një gazetë ruse, Nezavisimaya Gazeta, shkoi aq larg sa u ankua se Kremlini nuk kishte komentuar për disa ditë rreth "raporteve jashtëzakonisht shqetësuese nga Ukraina".
Të hënën, regjimi i Putinit u përpoq të shfaqej i pashqetësuar nga zhvillimet në Ukrainën verilindore, ku mendohet se ka humbur 3000 kilometra katrorë territor në vetëm pesë ditë.
Moska pretendon se thjesht ka urdhëruar trupat e saj të tërhiqen në mënyrë që të "rigrupohen".

