Hamasi thotë se bisedimet për armëpushim në Gaza janë zgjatur edhe për një ditë në Kajro
Negociatorët e Hamasit do të qëndrojnë në Kajro edhe për një ditë, me kërkesë të ndërmjetësve, duke i vazhduar bisedimet për armëpushim pas dy ditëve pa marrëveshje, tha të martën një zyrtar i këtij grupi.
“Delegacioni do të mbetet në Kajro të martën për më shumë bisedime, ata pritet që ta përmbyllin këtë rund më vonë sot” – i tha agjencisë “Reuters” zyrtari i Hamasit. Televizioni egjiptian “Qahera” gjithashtu raportoi se bisedimet janë zgjatur në ditën e tretë, por shtoi se ato “po ballafaqohen me vështirësi”.
Më herët, zyrtari i lartë i Hamasit, Bassem Naim, i tha agjencisë “Reuters” se grupi e kishte paraqitur propozimin e vet për një marrëveshje armëpushimi para ndërmjetësve dhe se tani po priste një përgjigje nga izraelitët, që nuk morën pjesë në këtë rund bisedimesh.
“Netanyahu (kryeministri izraelit) nuk dëshiron që të arrijë një marrëveshje dhe tani topi është në fushën e amerikanëve” për ta shtyrë atë që të bëjë një pak, tha ky zyrtar.
Një zyrtar i lartë izraelit, kur u pyet për komentet e Naimit se Izraeli po e mban pezull marrëveshjen, tha: “Pretendimi është i pasaktë. Izraeli është duke bërë çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje. Ne po presim një përgjigje nga Hamasi.”
Izraeli ka refuzuar që t’i komentojë publikisht bisedimet në Kajro.
Një burim i tha agjencisë “Reuters” më herët se Izraeli nuk po merrte pjesë në këtë rund bisedimesh, sepse Hamasi e kishte refuzuar kërkesën e tij për të dorëzuar një listë me emrat e të gjitha pengjeve që janë ende gjallë. Naimi i Hamasit tha se kjo është e pamundshme pa hyrjen në fuqi të një armëpushimi fillimisht, sepse pengjet janë të shpërndara në mbarë zonën e luftës dhe janë duke u mbajtur nga grupe të ndryshme.