Hamasi: Qëllimi ynë s’është t’i sjellim ujë Gazës, shpresojmë në luftë të përhershme
Disa zyrtarë të lartë të Hamasit kanë thënë se qëllimi i tyre me sulmet e 7 tetorit në Izrael ishte “për ta ndryshuar tërë ekuacionin” dhe për ta rinuar vëmendjen ndaj kauzës palestineze.
Kështu tha në një intervistë për gazetën “The New York Times” anëtari i byrosë politike të Hamasit në Katar, Khalil al-Hayya, përcjell gazeta “The Times of Israel”.
“Çfarë mund ta ndryshonte ekuacionin ishte një akt i madh dhe, pa asnjë dyshim, ishte e ditur që reagimi ndaj këtij akti të madh do të ishte i madh. Na u desh t’u tregonim njerëzve se kauza palestineze nuk do të vdiste”- tha ai.

Al-Hayya dhe anëtarë të tjerë të Hamasit citohen ta kenë refuzuar pretendimin se ata duan që ta qeverisin Gazën dhe shprehën mbështetje për konflikt të pafund.
“Shpresoj që gjendja e luftës me Izraelin do të bëhet e përhershme në të gjithë kufijtë dhe që bota arabe do të qëndrojë me ne”- citohet të ketë thënë këshilltari për media i Hamasit, Taher El-Nounou.
“Qëllimi i Hamasit nuk është që ta qeverisë Gazën dhe t’i sjellë ujë e rrymë e të tilla”- tha Hayya.
“Kjo betejë nuk ishte për shkak se donim karburant apo punëtorë. Nuk synonte që ta përmirësonte gjendjen në Gaza. Kjo betejë është për ta përmbysur tërësisht situatën”- shtoi ai.
