Hamasi kundër urdhrit të Izraelit, u thotë banorëve të Gazës të mos largohen
Hamasi u tha të premten palestinezëve që jetojnë në pjesën veriore të Gazës që të mos largohen nga shtëpitë e tyre, sipas një deklarate që u është dërguar mediave.
Grupi i armatosur, që e kontrollon Gazën, e akuzoi Izraelin për përfshirje në “luftë psikologjike” duke dërguar mesazhe që u kërkojnë palestinezëve dhe punëtorëve të organizatave ndërkombëtare që të vendosen në jug të enklavës, raporton televizioni CNN.
“Pushtimi po mundohet që të përhapë dhe qarkullojë propagandë të rreme përmes mënyrave të ndryshme, duke synuar që të krijojë huti në mesin e qytetarëve dhe ta minojë stabilitetin e frontit tonë të brendshëm”- thuhet në deklaratë, duke iu referuar Izraelit.
Në këtë deklaratë pretendohet se punëtorët e institucioneve ndërkombëtare mbeten në pozicionet e tyre dhe nuk do të evakuohen. Televizioni CNN nuk e ka vërtetuar këtë pretendim në mënyrë të pavarur.
Të premten, ushtria izraelite u bëri thirrje të gjithë civilëve në qytetin Gaza për t’u evakuuar në jug. Kombet e Bashkuara kanë thënë se urdhri për 1,1 milion njerëz që të largohen nga veriu i Gazës është i pamundshëm pa pasoja të mëdha humanitare.
