Hamasi e refuzon propozimin për armëpushim, e fajëson Netanyahun për kërkesat e tij
Përmes një deklarate të publikuar të dielën në mbrëmje, Hamasi i refuzoi kushtet për një marrëveshje armëpushimi në Gaza, të cilat ishin diskutuar të enjten dhe të premten, dhe e fajësoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për vendosje të pengesave të reja në bisedime.
Në anën tjetër, kryeministri izraelit raportohet se u kishte thënë ministrave të tij të dielën më herët se ishte pesimist për gjasat që të arrihej një marrëveshje, sidomos duke e marrë parasysh faktin që Izraeli kishte qenë duke biseduar në mënyrë efikase me shtetet ndërmjetësuese e jo me Hamasin, i cili refuzoi të dërgonte një delegacion në rundin e ri të bisedimeve, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Gjasat nuk janë të larta” – citohet t’u ketë thënë Netanyahu ministrave të tij, sipas raportimit të televizionit publik izraelit, “Kan TV”.
Pesimizmi i Netanyahut, bashkë me refuzimin e Hamasit ndaj kushteve të diskutuara në Doha të Katarit, duken se bien ndesh me raportet nga ndërmjetësit se bisedimet ishin duke shënuar përparim, me një fund potencialisht të suksesshëm në horizont.
Kryeministri izraelit do ta presë të hënën në takim sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken. Më pas, kryediplomati amerikan do të udhëtojë në Kajro të Egjiptit, ku po vazhdojnë bisedimet për armëpushim.
Shtetet e Bashkuara kanë dhënë shenjë se synojnë që të mbajnë një samit të dytë më vonë këtë javë dhe shpresojnë që të finalizojnë një marrëveshje nga fundi i javës.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të dielën se armëpushimi në Gaza ishte “ende i mundshëm” dhe se “ne nuk do të dorëzohemi”.
Në mesin e pikave kryesore të ngërçit në bisedime është kërkesa e Netanyahut që ushtria izraelite të mbetet e dislokuar në Korridorin “Filadelfi”, që shtrihet përgjatë kufirit mes Gazës dhe Egjiptit, për t’ia parandaluar Hamasit trafikimin e armëve në enklavë dhe rindërtimin e forcave të grupit.
Kjo kërkesë nuk ishte specifikuar në propozimin e 27 majit për lirimin e pengjeve, që ka shërbyer si themel për bisedimet e mëpastajshme, dhe kundërshtohet nga Hamasi./Nacionale