Grupi G7 i vendos kufi çmimit të naftës ruse - NACIONALE

Grupi G7 i vendos kufi çmimit të naftës ruse

1 vit më parë

nga NACIONALE

Grupi G7 dhe Australia thanë të premten se janë pajtuar për t’i vënë kufi prej 60 dollarësh për fuçi naftës së papërpunuar të Rusisë, pasi vendet e Bashkimit Evropian e tejkaluan rezistencën e Polonisë dhe arritën një marrëveshje politike.

Shtatë prej ekonomive më të fuqishme botërore dhe Australia thanë në një deklaratë se kufiri i çmimit të naftës ruse do të hyjë në fuqi nga data 5 dhjetor ose së shpejti pas kësaj date, raporton agjencia “Reuters”.

Këto shtete thanë se kanë parashikuar që çfarëdo rishikimi i çmimit do të përfshinte një lloj përjashtimi për ta lejuar përfundimin e transaksioneve të rregullta para ndryshimit të ri.

“Koalicioni për Kufirin e Çmimit, gjithashtu, duhet t’i shqyrtojë veprimet e mëtejme për ta garantuar efikasitetin e kufirit të çmimit”- thuhet në deklaratë. Nuk janë dhënë menjëherë hollësi se çfarë veprime të mëtejme do të mund të ndërmerreshin.

Qëllimi i vendosjes së kufirit të çmimit është që t’i kufizojë të ardhurat e Rusisë nga shitja e naftës, ndërkohë duke parandaluar shtrenjtim të derivateve në tregun global, pasi të hyjë në fuqi embargoja e BE-së ndaj naftës së papërpunuar ruse më 5 dhjetor.

Polonia e kishte kundërshtuar nivelin e propozuar të kufirit të çmimit, pasi shqyrtonte një mekanizëm të përshtatjes për ta mbajtur kufirin nën çmimin e tregut. Varshava bënte thirrje që kufiri i çmimit të ishte sa më i ulët për t’ia dëmtuar të ardhurat Rusisë dhe për t’ia kufizuar mundësinë e financimit të luftës në Ukrainë.

Ambasadori i Polonisë në BE, Andrzej Sados, u tha gazetarëve të premten se vendi i tij e ka përkrahur marrëveshjen e BE-së, e cila përfshin një mekanizëm për ta mbajtur kufirin e çmimit të naftës të paktën për 5 për qind nën nivelin e tregut. Zyrtarët amerikanë thanë se kjo marrëveshje është e pashembullt dhe e tregon vendosmërinë e koalicionit për kundërshtimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Lajme të ngjashme