Gruaja ukrainase: “Ushtarët rusë më dhunuan dhe ma vranë burrin” - NACIONALE

Gruaja ukrainase: “Ushtarët rusë më dhunuan dhe ma vranë burrin”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusët janë tërhequr nga zonat përreth Kievit, por ata kanë lënë njerëz me plagë që mund të mos u shërohen kurrë nga trauma. Televizioni “BBC” ka dëgjuar dëshmi të dorës së parë dhe ka gjetur dëshmi të dhunimit të grave ukrainase nga ushtarët pushtues rusë.

Paralajmërim: Teksti i mëposhtëm përmban përshkrim të dhunimit seksual dhe vrasjeve. Nuk preferohet që të lexohet nga personat e ndjeshëm dhe fëmijët.

Në një lagje të qetë rurale, 70 kilometra në perëndim të Kievit, gazetarët e “BBC”-së folën me një grua ukrainase, emri i vërtetë i së cilës nuk është publikuar.

Ajo thotë se, më 7 mars, kishte qenë në shtëpi me bashkëshortin, kur një ushtar i huaj papritmas kishte hyrë brenda.

“Nën kërcënimin e armës, ai më çoi në një shtëpi afër (shtëpisë sonë). Më urdhëroi: Hiqi rrobat ose do të të qëlloj me armë. Vazhdoi të më kërcënonte, nëse nuk do të veproja siç thoshte ai. Më pas filloi të më dhunonte”, thotë ukrainasja.

Anna (emër i përdorur për rrëfim) thotë se sulmuesi i saj ishte një luftëtar çeçen, i ri dhe thatanik.

“Ndërsa ai po më dhunonte, hynë katër ushtarë të tjerë. Mendova se më erdhi fundi, por ata e larguan atë. Kurrë nuk e pashë më”, thotë gruaja ukrainase, e cila beson se u shpëtua nga një njësit tjetër i ushtarëve rusë.

Anna u kthye në shtëpi dhe e gjeti bashkëshortin. Ai ishte qëlluar me armë në bark. “U përpoq të vraponte pas meje për të më shpëtuar, por ishte qëlluar nga një varg plumbash”, thotë ajo. Ata kërkuan strehim në një shtëpi të fqinjëve. Burrin nuk mund ta dërgonte në spital për shkak të luftimeve. Ai vdiq dy ditë më pas.

Ukrainasja kurrë nuk u ndal duke qarë ndërsa e tregonte ngjarjen. Ajo e shfaqi vendin ku me fqinjët e ka varrosur bashkëshortin, në pjesën e pasme të oborrit. Anna thotë se është në kontakt me një spital lokal dhe se po merr përkrahje psikologjike.

Ushtarët, që e shpëtuan atë, qëndruan në shtëpinë e saj për disa ditë. Ajo thotë se ia drejtonin armën dhe i kërkonin që t’ua jepte gjësendet e burrit.

“Kur u larguan, gjeta drogë dhe Viagra (tableta për stimulim të aktivitetit seksual). Ata drogoheshin dhe shpesh ishin të dehur. Shumica janë vrasës, dhunues dhe plaçkitës. Vetëm disa prej tyre janë në rregull”, thotë ajo.

Në të njëjtën rrugë ku ndodhet shtëpia e kësaj gruaje, “BBC”-ja dëgjoi një tjetër rrëfim rrëqethës. Thuhet se një grua u dhunua dhe u vra dhe fqinjët thonë se ky veprim është bërë nga i njëjti burrë që e dhunoi Anna-n, para se të shkonte te shtëpia e saj.

Kjo grua ishte në të dyzetat. Ajo ishte nxjerrë nga shtëpia, thonë banorët, dhe ishte mbajtur në dhomën e gjumit të një shtëpia afër zonës, pronarët e së cilës ishin evakuuar pas fillimit të luftës. Dhoma e dekoruar bukur tashmë është skenë shqetësuese e krimit. Në shtrat dhe në jorgan ka njolla të mëdha të gjakut.

Në një qoshe, shihet një pasqyrë në të cilën është shkruar me buzëkuq: “e torturuar nga persona të panjohur, e varrosur nga ushtarët rusë”.

Oksana, fqinje, thotë se pasqyra ishte lënë nga ushtarët rusë, të cilët e gjetën trupin e gruas dhe e varrosën atë. “Ata (ushtarët rusë) më thanë se ajo ishte dhunuar dhe se fyti i saj ishte prerë ose therur dhe se kishte gjakderdhje derisa kishte vdekur. Ata thanë se kishte shumë gjak”, thotë Oksana.

Kjo grua ishte varrosur në oborrin e shtëpisë. Ditën kur gazetarët e “BBC”-së e vizituan vendin e ngjarjes, policia e nxori trupin e saj për ta hetuar rastin. Trupi ishte pa rroba, ndërsa në qafë shihej një e prerë e thellë dhe e gjatë./Nacionale

Lajme të ngjashme